Një ish-këshilltare e guvernatores së Nju Jorkut, Kathy Hochul doli para gjykatës e akuzuar se ka vepruar në mënyrë të fshehtë si agjente e qeverisë kineze duke marrë në këmbim të miliona dollarë dhe dhurata të shtrenjta.
Linda Sun, 41 vjeçe dhe bashkëshorti i saj Chris Hu, 40 vjeç u deklaruan të pafajshëm për akuzat në seancën e parë para gjykatës. Por prokurorët federalë thanë se Sun kishte arritur të bllokonte përfaqësuesit e qeverisë tajvaneze të takoheshin me zyrtarë amerikanë dhe punonte që nivele të larta të politikës amerikane të shihnin Kinën me sy të mirë.
Si shpërblim, prokurorët thanë se çifti kishte marrë shuma të mëdha nga qeveria kineze, të cilat i përdorën për të bërë jetë luksi duke blerë një makinë sportive Ferrari të vitit 2024, një vilë në Long Island të Nju Jorkut dhe një tjetër për pushime në Honolulu me vlerë rreth 6 milionë Dollarë.
Ata kishin marrë edhe dhurata më të vogla direkt nga zyrtarë të qeverisë kineze. Linda Sun u pushua nga puna në Mars të 2023 pas dyshimeve të para për rolin e saj. Ata do të gjykohen në liri me kusht kundrejt një garancie prej 2 milionë Dollarësh.
Tv Klan