Ramiz Tafilaj, një shqiptaro-amerikan me origjinë nga Kosova, ka qenë një nga njerëzit e parë të huaj që mbërriti në Shqipëri teksa po përgatitej tranzicioni politik i vendit pas rrëzimit të diktaturës.

Si një qytetar amerikan në atë kohë dhe i martuar me një shtetase amerikane, ai ka qenë një nga personat e dërguar nga qeveria e SHBA-së që  në Shqipëri të vendoste kontakt dhe të krijonte një listë me 10 persona që mendohej se do të ishin politikanët e së ardhmes.

Në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, Ramiz Tafilaj ka rrëfyer këtë moment dhe ka treguar se me cilët personazhe politikë të asaj kohe vendosi kontakt. Vlen të përmendet se ai kishte krijuar miqësi pothuajse me të gjithë politikanët që shpërthyen në vitin ’90.

Ramiz Tafilaj: U ktheva në Shqipëri për arsye se ata që e panë materialin e Kosovës më thanë që Shqipëria është problem dhe u ktheva në Shqipëri me qëllim për të shpejtuar demokratizimin në Shqipëri. Këtu hasa me njerëz si gjenerata juaj që keni qenë shumë aktiv dhe desha të kontribuoja sa më shumë.

Blendi Fevziu: Ramiz Tafilaj ka qenë nga shqiptarët e parë të Kosovës që unë kam takuar në Shqipëri në vitin 1991, ishte aktiv kudo, gjendej në çdo event të opozitës, takonte çdo lider politik, kishte miqësi personale me Azem Hajdarin, Gramoz Pashkon, Teodor Kekon, Preç Zogajn dhe personazhe të tjerë. Besoj dhe Berishën e ke njohur.

Ramiz Tafilaj: Po sigurisht.

Blendi Fevziu: Po kontaktet me njerëzit politik pse i vendose aq shpejt në ’91?

Ramiz Tafilaj: Ishin njerëz që na duheshin për të biseduar. Mua më dhanë detyrë amerikanët të zgjedh 10 personazhe shqiptare me të cilët mundet të bisedohet ose mendohet që do të jenë ata njerëz që do ta çojnë Shqipërinë përpara. Edhe si për çudi në mesin e tyre ka qenë edhe Sali Berisha. Por ka pasur edhe njerëz që unë i mendova ashtu, kanë qenë edhe të Partisë Socialiste disa që ishin të përfshirë brenda kësaj liste që unë e bëra.

/tvklan.al