Ish-futbollisti i kombëtares, Hamdi Salihi ishte i ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Kampionët” në Tv Klan. Ish-sulmuesi u pyet nga Marina Vjollca se në cilën ndeshje të Europianit gaboi më shumë Shqipëria.
Salihi tha se nga Gjermania pavarësisht kënaqësive që përjetuam, u larguam me keqardhje. Ai shtoi se gabimi i Shqipërisë në ndeshjen e parë të Euro 2024 ishte që nuk dinte akoma forcën e vërtetë të vetes, por edhe forcën reale të Italisë.
“Nga Gjermania me gjithë kënaqësinë dhe gjithçka përjetuam, u larguam me keqardhje. U larguam me keqardhje sepse ishim deri në fund në lojë, ishim duke luftuar. Nuk mund të them gabuam, por mund të them ndeshjen e parë me Italinë, nuk mund ta quaj më shumë gabim, mund të them që ne në atë ndeshje nuk e dinim akoma forcën tonë të vërtetë dhe forcën reale të Italisë. Në qoftë se do kishim luajtur ndeshjen e tretë me Italinë, mbase do ishim përballë në një mënyrë më ndryshe”, tha Salihi.
Sa i përket golit në sekondat e para të ndeshjes ai u përgjigj kështu.
“Nuk e kishim menduar. Shpresonim të shënonim të parët. Ndodhi shumë shpejt, por nuk mund të them që ishte vetëm goli që i ngurtësoi lojtarët. Mund të them edhe po të ishim 0-0, prapë minutat e para do ishin të vështira. Ato pikat ku jemi fokusuar shumë ishin 15 minutat e para. Edhe ndeshja e 2016 në minutat e para 15 minutat e para janë pak a shumë të ngjashme”, tha ai.
Por pse kombëtarja nuk e kreu kurrë zëvendësimin e pestë në tre ndeshjet që luajti në Euro 2024?
“Lojtarët e stolit për çdo ndeshje kanë qenë vendimtarë, por në pjesën e dytë, mesa kujtoj, të treja ndeshjet kanë pasur më rritje, është stabilizuar loja më shumë. Trajneri më tepër është munduar të luajë ekuilibrat dhe më tepër t’i bëjë ndërrimet e sakta sesa t’i bëjë për numër”, tha ai.
Sa i përket ndeshjes me Spanjën, Salihi tha se nëse do ishte sfida e parë e grupit do të donte Brojën në nisje. Megjithatë pas performancës së Manajt me Kroacinë, sulmuesi u avantazhua për ta nisur titullar me “Iberikët”.
“Prapë them që nëse ndeshja me Spanjën do ishte ndeshja e parë e grupit, them Broja. Duke pasur parasysh ndeshjen e Manajt me Kroacinë, besoj se u avantazhua me ndeshjen me Spanjën”, tha ai.
Në fund pati edhe një pyetje “provokuese” për ish-sulmuesin. Cilin lojtar të lënë jashtë liste do të kthente Salihi?
“Mund të them që e meritojnë të tre, por do të them Cikalleshin meqë ka kontribuar më shumë”, u shpreh ai./tvklan.al