Programi “Aldo Morning Show” në Tv Klan sjell një cikël të ri intervistash për emigrantët e huaj që janë vendosur në Shqipëri. I ftuari i parë është Gabor Vasmatic, një hungarez me profesion programues.
Ai u njoh me Manjolën në universitet, u martuan dhe në vitin 2007 janë vendosur në Shqipëri. Çifti ka tre fëmijë. Gabor kujton ditët e tij të para si “dhëndër” në Shqipëri ku u befasua nga mikpritja e rrallë.
Aldo: Kur erdhe për herë të parë në Shqipëri cila ishte gjëja më e çuditshme ose e papritur që vure re në sjelljen e shqiptarëve?
Gabor Vasmatic: Në fakt, mua më bëri shumë përshtypje pjesa e mikpritjes, ngrohtësia e shqiptarëve.
Aldo: Më shumë se ç’duhet?
Gabor Vasmatic: Nuk them që është më shumë se ç’duhet, por më shumë se çdo vend tjetër.
Aldo: Vërtet?
Gabor Vasmatic: Po. Është e paparë, unë nuk prisja kaq shumë.
Aldo: Çfarë pyetjeje i bëre vetes, pse janë kaq të dashur me mua këta?
Gabor Vasmatic: Jo, mua më erdhi mirë se kujt nuk i pëlqen kur e mirëpresin, thjesht më bëri përshtpyje.
Aldo: Çfarë të bëri përshtypje kur shkove në familjen e bashkëshortes tënde si dhëndër, si të pritën?
Gabor Vasmatic: Edhe aty me shumë ngrohtësi dhe shumë interesante kjo pjesa që ushqimet që sjellin janë aq shumë që kur sollën…
Aldo: Ti shkove për drekë në shtëpi apo për darkë?
Gabor Vasmatic: Për drekë, për darkë, raste të ndryshme, por kur shkuam te familjarët për shembull, te halla. Kur halla solli atë pjatën dhe e vendosi aty, mendova se është pjatë e përbashkët për gjithë tavolinën. “Jo”, thotë, “kjo është vetëm për ty”.
Aldo: Do e haje gjithë atë ti?
Gabor Vasmatic: S’kishte shans ta haja dot të gjithën.
Aldo: Po i ngel hatri hallës.
Gabor Vasmatic: Jo, edhe ata e kuptojnë. Por është thjesht ajo pjesa që duan të të trajtojnë mirë.
Gabor tregon se asokohe prindërit e bashkëshortes e patën disi të vështirë ta pranonin njohjen e vajzës me një djalë të huaj, por pas disa takimeve ‘akulli’ u thye./tvklan.al