Kanë kaluar 6 vite nga aksidenti i rëndë kur Michael Schumacher përplasi kokën duke bërë ski në Alpet franceze. Neurokirurgu Nicola Acciari ka folur rreth shëndetit të kampionit të Formula 1, dhe shprehet se gjendja e tij nuk është ashtu sikurse e kujtojnë të gjithë në kohën kur Schumacher drejtonte plot krenari “Ferrarin” dhe përfundonte garën triumfator.
Në një intervistë për gazetën italiane ‘Contro Copertina’, ai shpjegon se goditja që pësoi në kokë, kanë dëmtuar të gjithë strukturën e trupit të Michael Schumacher.
“Ne duhet të imagjinojmë një person shumë të ndryshëm nga ai që mbajmë mend, me një strukturë organike, muskulore dhe skeletore shumë të ndryshme dhe të përkeqësuar. Të gjitha këto kanë ndodhur si rezultat i traumës që pësoi truri”, ka thënë neurokirurgu Nicola Acciari.
51-vjeçari nuk është në gjendje kome, por as nuk mundet që të ecë plotësisht. Informacionet rreth shëndetit të tij janë të pakta, për shkak se familja dëshiron të ruajë privatësinë. Që pas aksidentit, ai nuk është parë kurrë në publik, e për pasojë ka pasur edhe spekulime rreth shëndetit të tij.
Michael Schumacher po qëndron me familjen në shtëpinë e tyre pranë liqenit të Gjenevës në Zvicër. Për të kujdesen një ekip i specializuar mjekësh, 24 orë në ditë. /tvklan.al