Për herë të parë pas 11 vitesh, Michael Schumacher është shfaqur sërish në publik. Pavarësisht informacionit të pakët dhe mungesës së dokumentimit, legjenda e Formula Një ishte prezent në dasmën e vajzës së tij Xhina.
27-vjeçarja kurorëzoi në martesë dashurinë e saj në një ceremoni luksoze në Majorka dhe sipas mediave gjermane prezent ishte edhe Schumacher. Janë marrë shumë masa për ruajtjen e privatësisë së sportistit, si “sekuestrimi” i celularëve të të ftuarve për të shmangur fotot e 55-vjeçarit.
7 herë kampioni i Botës në Formula Një vazhdon të rikuperohet me kujdes që prej vitit 2013 kur pësoi aksident me ski në alpet franceze. Ai u përplas me një shkëmb dhe për disa muaj qëndroi në gjendje kome. Kjo pritet të mos jetë dalja e vetme publike për Michael.
Sipas mediave gjermane, djali i tij pritet të kurorëzojë në martesë marrëdhënien me modelen daneze, Laila Hasanoviç. Mbetet të shihet nëse edhe kjo ceremoni do të mbahet në Majorka, ku po qëndron aktualisht familja e gjermanit.
Vila u ble nga gruaja e Schumacher në vitin 2017. Ajo pagoi rreth 27 milionë Paund për të blerë pronën nga Florentino Perez, presidenti aktual i klubit të Real Madrid.
Klan News