Në intervistën për BBC, Anna Wintour shfaqet syzet e saj ikonike.

Ajo është gruaja që ka qenë kryeredaktorja e Vogue prej vitit 1988 dhe takimi me gazetën britanike realizohet në VOGUE: Inventing the Runway, një spektakël për historinë e pasarelave që ajo e ka ëndërruar.

Edhe pse në një hapësirë gjigante, rrethuar nga tri ekrane me përmasa hiperbolike e ku është disi errësirë, syzet e saj nuk lëvizin vendit.

Gazetarja e pyet për çfarë janë. Një mburojë apo diçka më e zakonshme, ndoshta miopia?

“Ato më ndihmojnë të  shoh dhe më ndihmojnë të mos shoh”, thotë Wintour në mënyrë disi enigmatike. “Ato më ndihmojnë të dallohem dhe të mos dallohem. Janë një lloj mbështetjeje, do të thosha”.

Në vijim të artikullit, shkruhet se askush s’i thotë ndonjëherë “jo” Anna-s. Donatella Versace konfirmon të njëjtën gjë në dokumentarin e Disney, “In Vogue: The 90s”.

Por Wintour flet modestisht. “Kjo është plotësisht e pavërtetë. Ata thonë  shpesh jo, por kjo është diçka e mirë. Jo-ja  është një fjalë fantastike”. E pyetur nëse mendon që njerëzit i tremben, ajo përgjigjet: “Shpresoj që jo”.

Anna Wintour ka arritur që përmes talentit, drejtimit, forcës së personalitetit  dhe një syri për të kuptuar se çfarë shitet, e ka kthyer Vogue në një markë ndërkombëtare me të ardhme të garantuar. Kur sot moda po diktohet nga influencerë, Wintour e ka pozicionuar Vogue si arbitër stili dhe shijeje.

Ajo beson se moda, reklamimi dhe gazetaria mund të ecin bashkë. Wintour e sheh veten më shumë si një ambasadore mode sesa gazetare, por sigurisht që është një e tillë, ndoshta një prej më të famshmeve në planet dhe nuk ka një pasardhës.

Është 75 vjeçe dhe nëse e pyet sesa kohë do të vazhdojë të mbajë rolin e saj, përgjigjja është e qartë:

“Nuk po planifikoj ta lë punën time”, thotë ajo teksa shton: “Aktualisht”./tvklan.al