Brisida Shehaj është tërhequr prej dy vitesh nga Partia e Lirisë për të vijuar e vetme pa qenë pjesë e një formacioni politik. E ftuar në “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ajo ndau mendimin e saj për deformimin e vendit, mungesën e reagimit të shoqërisë për situata të ndryshme dhe problemet e të rinjve.
Ndër të tjera, Shehaj foli edhe për arsyet e tërheqjes së saj nga formacioni politik. Ajo u shpreh se “nuk ishte dakord” dhe “nuk thoshte asnjëherë atë që donin të dëgjonin”.
Aldo: Ke marrë pjesë në formacione politike.
Brisida Shehaj: Me bindje.
Aldo: Ke marrë pjesë në shprehjen “thuaju atyre atë që duan të dëgjojnë?”
Brisida Shehaj: Unë se nuk isha ashtu vendosa të lija formacionin politik ku kam qenë që 15 vjeç në kulmin e pushtetit vetëm sepse nuk isha aspak dakord dhe nuk thosha asnjëherë atë që donin të dëgjonin sepse unë mendoj që edhe kur je në punë, edhe kur bashkëpunon nuk do themi mirë, mirë, mirë, bashkë do mblidhemi, të qajmë ato hallet apo unë do vij te eprori për të zgjidhur atë që nuk i jap dot zgjidhje. Mos prit që unë të të vij për lajme të mira, sigurisht unë do të vij për lajme jo fort të mira ose që do duan angazhimin e eprorit apo strukturave të caktuara.
Unë mendoj që angazhimi politik në Shqipëri është kthyer në turp, por nuk është aspak turp. Nuk ka absolutisht pse të jetë, unë do kisha dashur që brezi ynë i ri ta kishte këtë vullnetin por nuk e ka, ne jemi një brez kafeje, po rritet një brez kafenesh, një brez Instagram-i, një brez i cili sheh luksin dhe sheh atë që është bosh, nuk të plotëson si njeri dhe nuk të formëson si njeri paraja apo rroba firmato, ndërkohë ne e kemi orientuar sepse unë mendoj që realisht nuk e prisja që formacioni im politik do e sillte në këtë gjendje vendin apo do të krijonte këtë lloj situate shoqërore dhe ekonomike në Shqipëri.
Shehaj shton se është mirënjohëse për platformën që iu dha pasi zëri i saj mund të dëgjohet. Përmes tij, ajo vijon të jetë aktive duke bërë përpjekje që të ndikojë në shoqëri edhe pse vështirësitë nuk mungojnë.
Brisida Shehaj: Një ndër arsyet pse unë vendosa të mos isha në pjesën e një formacioni politik ishte pikërisht kjo, për t’i thënë njerëzve apo të gjithë audiencës duke qenë se kam një zë publik, se ka plot që janë edhe më të aftë se unë që nuk e kanë pasur hapësirën, në finale unë edhe Ramës i jam mirënjohëse për mundësinë që më dha, kishte shumë më të aftë se unë, ndoshta më të mirë se unë, jo ndoshta por patjetër më të mirë se unë që mund të bënin titullarin e Tatimeve që bëra unë apo titullarin në një institucion tjetër dhe unë jam mirënjohëse edhe për aq se m’u dha mundësia ta kem këtë zë dhe duke dalë nga ai formacion politik, duke qenë se politikën enkas edhe në këtë dekadë u vendos nga ky lloj enturazhi që ne kemi sot, që të përdhosej në atë farë feje që të bëhej një fjalë e keqe, kur ti thua politikan nuk të vjen asnjë ide e mirë, ty të vjen gjëja më e keqe dhe prandaj në një moment të caktuar vendosa shkëputjen nga politika për t’i thënë edhe dikujt si unë që dëgjo, zë mund të kesh edhe po të mos jesh në një fraksion politik, mund të ndikosh.
Nuk ka nevojë të trembesh, nuk të duhet mbrojtja e një formacioni politik për të thënë të vërtetën sepse nuk të ndodh asgjë, ja ku jam unë, unë nuk kam vdekur, nuk më kanë vrarë. Sigurisht kam vështirësi të gjej punë, sigurisht familja ime kërcënohet përditë, sigurisht për shkak të denoncimeve apo aferave të korrupsionit që unë vazhdoj dhe merrem, kam kërcënime nga kriminelë, sigurisht që kallëzoj në prokurori, sigurisht që prokuroria nuk reagon, sigurisht janë të gjitha këto, prapë jam këtu unë, jam njeri i lirë. Pra vendos në një moment që të japësh një shembull ndryshe jo se unë jam kush jam se ka plot të tjerë që mund të jenë dhe janë më të aftë se unë, por duhet pak kurajë dhe guxim./tvklan.al