Prokuroria e Posaçme lëshoi 21 masa sigurimi për persona të përfshirë në krimin e organizuar, ish-zyrtarë të drejtësisë, policisë, si dhe 2 gazetarë. 18 prej masave të sigurisë janë “arrest në burg” dhe 3 të tjera më të lehta, si ajo e “arrestit në shtëpi” dhe “detyrimit për t’u paraqitur.

Në pranga përfundoi ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu, në “arrest shtëpie” avokatja Blerina Beqiri. Në ambientet e paraburgimit i është komunikuar një masë e tretë, ish-shefit të Krimeve, Dedan Gjoni. Ky i fundit në akuzë si i përfshirë edhe në dy dosje të tjera si persona që ka bashkëpunuar me anëtarë të grupeve kriminale.

Në detyrim paraqitje do të qëndrojnë edhe dy gazetarët që prej vitesh raportojnë mbi kronikën e zezë, Elton Qyno dhe Artan Hoxha.

Prej orëve të para të së hënës policia dhe hetues të BKH-së, kanë kryer ekzekutimet e masave dhe kontrollet e banesave. Në Elbasan, burimet thanë se kontrolle u ushtruan në disa banesa të ish-zyrtarëve të drejtësisë, për të cilët nuk ka masa sigurie.

Në një njoftim zyrtar SPAK thotë se operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë është duke u koordinuar edhe nga Europol, kjo pasi disa prej personave që ka masa sigurie “arrest në burg” janë lokalizuar jashtë Shqipërisë. Hetimet për këtë dosje kanë bazë komunikime në aplikacionin Sky dhe prova të tjera të siguruara nga SPAK.

Tv Klan