Numri i gazetarëve të burgosur në mbarë botën shënoi një rekord të ri për këtë vit .
Në raportin e publikuar nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve bëhet e ditur se 293 gazetarë janë burgosur gjatë këtij viti, për shkak të punës së tyre.
Vitin e kaluar kanë qenë 280 gazetarë të burgosur. Ky është viti i gjashtë radhazi që Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve regjistron të paktën 250 gazetarë të burgosur.
Për më tepër, sipas organizatës, 19 gazetarë janë vrarë në shenjë hakmarrjeje për punën e tyre deri më 1 dhjetor të këtij viti. Gjatë gjithë vitit 2020, numri i gazetarëve të vrarë është 22. Tetëmbëdhjetë të tjerë kanë humbur jetën në rrethana të dyshimta dhe është e vështirë të përcaktohet nëse janë vrarë, thotë raporti.
Tre gazetarë janë vrarë gjatë këtij viti teksa raportonin nga zonat e konfliktit, ndërkohë dy të tjerë u vranë gjatë mbulimit të protestave të dhunshme.
Kina është shteti me më shumë gazetarë të arrestuar. Në vendin e dytë është Mianmari për shkak të shtypjes së mediave që pasoi puçin ushtarak të shkurtit. Egjipti, Vietnami dhe Bjellorusia gjenden në pesë shtetet me më shumë gazetarë që gjenden prapa hekurave. Në mesin e shteteve që janë përmirësuar është Turqia.
Të dhënat e raportit nënvizojnë intolerancën ndaj raportimit të pavarur të gazetarëve dhe trazirave politike në mbarë botën.
Klan News