Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë: Në lidhje me incidentin e ndodhur gjatë pasditen së sotme me disa gazetarë, në Qafë Mollë, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e policisë Sh.T.
Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, ka urdhëruar Drejtorinë e Standarteve Profesionale në Policinë e Shtetit për nisjen e menjëhershëm të hetimit administrativ me qëllim sqarimin e rastit.
“Policia e Shtetit i konsideron marrëdhëniet me median si prioritare në funksion të mirë-informimit të publikut dhe është e vendosur për të ndëshkuar çdo punonjës police që performon sjellje të pahijshme duke shpërdoruar detyrën në dëm të imazhit të Policisë së Shtetit dhe cënimit të marrëdhënieve me mediat e qytetarët”, thuhet në reagimin e policisë së Tiranës.
Ndërkohë, më herët SHÇBA tha se kishte nisur një inspektim për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe vënien përpara përgjegjësisë të punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë shfaqur sjellje jo etike e konform detyrës.
“Në vijim të lajmit të publikuar në disa media, në lidhje me sjelljen jo korrekte të disa punonjësve të policisë me përfaqësues të mediave, e në veçanti me gazetaren Anila Hoxha gjatë raportimit të një ngjarje kriminale, SHÇBA njofton se ka nisur një inspektim për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe vënien përpara përgjegjësisë të punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë shfaqur sjellje jo etike e konform detyrës. SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90“, thuhet në reagim.
NGJARJA: Zbulimi i trupit të vrarë të biznesmenit Ruzhdi Hoxha mes maleve të fshatit Qafë Mollë në Dajt, bëri që përveç forcave të shumta të policisë, në terren të zbriste edhe media.
Por teksa raportonin për vrasjen e biznesmenit 43-vjeçar, i zhdukur prej gati 2 javësh, gazetarët u përballën me oficerin e policisë, tashmë të pezulluar, i cili i shtyu duke i hedhur ata përtokë në një zonë të rrezikshme malore. Pamjet e këtij momenti shihen qartë edhe në videon më lart, të siguruar nga tvklan.al./tvklan.al