Numri 2 i Hezbollahut, Naim Qassem thotë se janë gati për një ofensivë tokësore izraelite teksa ka shtuar se do të vazhdojnë luftën kundër Izraelit. Ky është fjalimi i parë i një zyrtari të lartë që kur Izraeli vrau liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah.

“Ne jemi gati për një pushtim tokësor dhe do të dalim fitimtarë,” tha ai.

Më tej, Qassem është shprehur se grupi po vazhdon operacionet teksa ka shtuar se beteja mund të jetë e gjatë duke bërë thirrje për “durim”. Në lidhje me zëvendësimin e Hassan Nasrallah, ai tha se këshilli i tyre do të vendosë së shpejti.

Ushtria izraelite ka raportuar se 35 raketa janë lëshuar nga Libani në veri të Izraelit këtë mëngjes. Disa u kapën, ndërsa të tjerat ranë në zona të hapura. Hezbollahu ende nuk ka komentuar, por ka vazhduar të hedhë raketa kundër Izraelit ditët e fundit, edhe pse Izraeli po sulmon infrastrukturën e tij.

Ndërkohë, të paktën 100,000 persona kanë kaluar nga Libani në Siri për t’i shpëtuar sulmeve ajrore të fundit izraelite. Një ndërtesë me apartamente banimi u godit në qendër të qytetit të Bejrutit gjatë natës, në atë që duket se është sulmi i parë ajror izraelit në kryeqytet përtej bazës së Hazbollahut në periferitë jugore.

Izraeli ka vazhduar gjithashtu sulmet në Libanin jugor gjatë natës, disa ditë pasi vrau liderin e Hezbollahut në një sulm në Dahieh. Zyrtarët libanezë kanë deklaruar se si pasojë e sulmeve janë vrarë 105 persona të dielën./tvklan.al