Bujar Asqeriu është ndër aktorët më të njohur të skenës dhe ekranit shqiptar. Me mbi 120 role në filma dhe mijëra shfaqje, Asqeriu është ngulitur thellë në memorien e publikut shqiptar përmes roleve të tij.

Ai ishte sot i ftuar në emisionin “Xing me Ermalin”, në Tv Klan, nga ku rrëfeu momente nga karriera e tij afro 42-vjeçare. I pyetur për momentin më të mirë të karrierës, aktori tregoi se 10 vite më parë ka luajtur në një shfaqje në Londër dhe të gjithë kishin thënë me të madhe emrin e personazhit të cilin ai luante. Bujar Asqeriu e kujton këtë shfaqje si një nga emocionet e tij më të mëdha.

Ermal Mamaqi: Sa filma ke luajtur ti?

Bujar Asqeriu: Besoj mbi 120 role.

Ermal Mamaqi: Po shfaqje?

Bujar Asqeriu: Janë mijëra, mijëra. Nuk kam lënë vend të Shqipërisë dhe jashtë që nuk kam luajtur.

Ermal Mamaqi: Sa vite karrierë ke?

Bujar Asqeriu: Rreth 42 vite profesionist?

Ermal Mamaqi: A mund ta ndash dot se cili ka qenë momenti më i mirë të karrierës tënde në këto 42 vjet?

Bujar Asqeriu: Janë shumë ngjarje… Por një nga ngjarjet që ka mbetur në kujtesën time është kur Teatri Kombëtar shkoi në Londër, para 10 vjetësh, në një festival botëror të teatrit të Shakespeare. Ne patëm fatin të luanim në “Globe to Globe”. Ikëm me avion, por unë e kam fobi avionin, kam shumë frikë. U nis avioni unë shikoja majtas-djathtas dhe thoja: “O bo bo”. Në një moment avioni u mënjanua dhe unë: “O të lutem, o avion mos bjer”. Zbritëm në Londër, na pritën bukur dhe na shoqëruan në hotel. Kur u futa në dhomë po i bija kokës dhe i thoja vetes si s’mësove anglisht. Ne luajtëm “Henry VI”, unë kisha rolin e Jack Cade. Kur unë do futesha në shfaqje ngatërrova hyrjen dhe u futa në mes të publikut dhe të gjithë ata nisën të thërrasin emrin e personazhit tim. Kjo nuk më kishte ndodhur as në Shqipëri. Nuk harroj që në publik ishte edhe Përparim Kabo, shikonte një herë nga publiku e një herë nga ne, sikur donte t’iu thoshte: Shikoni ç’aktorë të shkëlqyer kemi ne”. Ky është një nga emocionet më të mëdha.

/tvklan.al