Reduktohen infektimet ditore në vendet e BE-së
Pandemia është shtrirë gjerësisht në gjithë globin, por ritmet e përhapjes mesa duket janë ngadalësuar. Në këtë konstatim arrin Organizata Botërore e Shëndetësisë në raportin më të fundit, ku vihet në dukje se më problematike situata po paraqitet në vendet që lagen nga Mesdheu Lindor dhe AziaJuglindore.
Konstatimi duket se është i saktë për vendet e Bashkimit Europian, ku ky 24 orësh shënoi rënie të rasteve të infektimit krahasuar me rekordet e fundjavës. Nga rreth 5 mijë raste të dielën, Franca ka arritur në gati 2 mijë infektime të reja në 24 orëshin e fundit. Italia numëroi më pak se 1 mijë raste, teksa në fundjavë, numri i rasteve ishte mbi këtë kufi. Më të pakta krahasuar me fundjavën ishin rastet edhe në Gjermani, ku u shënuan më shumë se 700 të infektuar ditor.
Ndikim në frenimin e përhapjes mund të kenë pasur masat e karantinës për personat që kanë lëvizur për qëllime turistike në vende të huaja.
Infektimet ditore janë në mbi 30 mijë në Shtetet e Bashkuara, teksa javën e kaluar kjo kuotë arrinte në mbi 50 mijë. Aktualisht, problematike situata është në Indi, që ka numrin më të lartë të infektimeve në botë për këtë 24 orësh, mbi 60 mijë.
Tv Klan