Kluge: 1 mijë viktima në ditë, një nga 5 shkaqet kryesore të vdekjeve
Organizata Botërore e Shëndetësisë është e alarmuar nga shpejtësia me të cilën ka nisur të përhapet koronavirusi nëpër Europë.
Shqetësimin e shprehu shefi i zyrës së OBSH-së për rajonin e Europës, Hans Kluge i cili teksa publikoi shifrat më të fundit të pandemisë për këtë rajon tha se 1 milion të infektuar i janë shtuar listës së të prekurve në 10 ditët e fundit, duke e çuar totalin e tyre në mbi 7 milionë.
Kjo sipas tij tregon se Europa ka ritmet më të larta të përhapjes së COVID-19 në botë dhe renditet e treta pas Shteteve të Bashkuara dhe Indisë.
“COVID tashmë renditet në vend të 5 në listën e sëmundjeve kryesore. Tashmë është arritur shifra e lartë prej 1 mijë vdekjesh ditore prej koronavirusit”.
Kluge përshëndeti masat që po merren nga qeveritë europiane për uljen e ritmeve të infektimeve, por u shpreh kundër zbatimit të karantinës kombëtare që sipas tij duhet të mbetet opsioni i fundit.
Shefi i OBSH-së për rajonin e Europës vlerësoi si masat më efektive, mbajtjen e maskave në ambiente të brendshme dhe të jashtme dhe kontrollin strikt të grumbullimeve sociale në ambiente publike e private.
Në këtë mënyrë sipas tij mund të ruhen jetët e deri 281 mijë njerëzve deri në Shkurt 2021 në gjithë rajonin.
Rajoni i Europës që mbulohet nga Kluge, veç kontinentit përfshin edhe Rusinë, Turqinë, Kazakistanin, etj.
Tv Klan