Ukraina është e përgatitur të angazhohet në negociata për t’i dhënë fund luftës së saj gati tre-vjeçare me Rusinë.

Në një fjalim, Presidenti Volodymyr Zelenskiy, theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa gjithashtu duhej të merrnin pjesë në çdo bisedim.

“Le të jemi të sinqertë: Putini është një vrasës dhe terrorist. Nëse aleatët tanë besojnë se duhet të kalojmë në rrugën diplomatike, dhe unë besoj se jemi gati të kalojmë në këtë rrugë, duhet të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropa, Ukraina dhe Rusia në krye të bisedimeve. Ne do të flasim me Putinin”, tha Volodymyr Zelensky.

Zelenskiy, i cili kishte kërkuar prej kohësh që të gjitha trupat ruse të largoheshin nga Ukraina si parakusht, javët e fundit ka folur për nevojën e bisedimeve për çuarjen e konfliktit në një fund “të drejtë”.

Presidenti ukrainas përsëriti gjithashtu se një udhërrëfyes për anëtarësimin e Ukrainës në NATO mbetet mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të marrë garanci sigurie.  

“Nëse aderimi në NATO zvarritet për vite apo dekada, jo për shkak të nesh, por për shkak të partnerëve, atëherë do të kemi shumë pyetje të drejta nga pas: Çfarë do të na mbrojë nga kjo e keqe gjatë gjithë kësaj kohe? Çfarë paketë mbështetëse?”, tha Zelenskiy.

Në fillim të kësaj jave, Trump dha sinjalet e para. Ai kërkoi garanci nga Kievi për furnizim të Shteteve të Bashkuara me të ashtuquajturat toka të rralla, një grup mineralesh shumë të domosdoshme për zhvillimin e teknologjisë dhe burime të tjera në këmbim të mbështetjes financiare dhe ushtarake për luftën e Ukrainës.

Deklarata e Trumpit i bën jehonë “planit të fitores” të paraqitur më herët nga Presidenti Zelenskiy për aleatët dhe në përgjigje presidenti ukrainas tha se Ukraina është e hapur për investime nga aleatët që po e ndihmojnë në luftë.

Zelenskiy gjithashtu dha vlerësimet e para të viktimave për të dyja palët në gati tre vjet konflikt. Ai tha se viktimat ukrainase kanë arritur 45,100, me numrin e të plagosurve në 390,000.

Zelenskiy vlerësoi humbjet ruse në 350,000 të vdekur dhe deri në 700,000 të plagosur.

Klan News