Kjo raketë e shkatërruar nga mbrojtja ajrore izraelite në qiejt e Tel Avivit u lëshua në orët e para të kësaj të Mërkure nga Hezbollahu. Është e para raketë e grupit të militantëve pro-iraniane nga Libani, që ka mbërritur ndonjëherë në qiejt e qytetit kryesor të Izraelit, ku ndezi sirenat e alarmit të luftës.
Ajo ishte një nga dhjetëra raketat që Hezbollahu lëshoi që nga pasditja e të Martës drejt Izraelit si hakmarrje për 560 viktimat e bombardimeve izraelite të nisura të Hënën, bilanci më i përgjakshëm ditor nga një konflikt i armatosur në këtë vend në më shumë se tre dekada.
Disa prej tyre ranë mbi ndërtesa të ndryshme në vendbanimet e veriut të Izraelit, por pjesa më e madhe u shkatërrua në ajër.
Ushtria izraelite u kundërpërgjigj duke kryer bombardime të tjera nëpër Liban, ku në shënjestër ishin vendet nga ku dyshohet se Hezbollahu lëshon raketa.
Sipas BBC-së, mbërritja e një rakete të Hezbollahut mbi Tel Aviv dhe vala e re e goditjeve të orëve të fundit mund të sjellë përshkallëzimin e konfliktit dhe ndoshta edhe nisjen e një sulmi tokësor izraelit në jug të Libanit.
Tv Klan