Forcat izraelite kanë vrarë komandantin e sistemit raketor të Hezbollahut, Ibrahim Muhammad al-Qubasi, sipas zëdhënësit të IDF-së, Avichay Adraee.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, zëdhënësi i Forcave Izraelite shton se komandanti i Hezbollahut ishte me disa zyrtarë të lartë të grupit në momentin e sulmit.

Ndërkohë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është zotuar që të vazhdojë të godasë vendqëndrimet e Hezbollahut në Liban. Duke iu drejtuar qytetarëve libanezë, ai tha: Lufta jonë nuk është me ju, lufta jonë është me Hezbollahun.

Përmes një video-mesazhi të postuar për “X”, ai tha se udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah “po ju çon në buzë të humnerës… Shpëtoni veten nga kontrolli i Nasrallahut, për të mirën tuaj”.

Më shumë se 550 persona, përfshirë 50 fëmijë janë vrarë në sulmet izraelite që nga e hëna, ndërkohë që mijëra njerëz po largohen nga Libani jugor. E hëna ishte dita më vdekjeprurëse në Liban që nga përfundimi i Luftës Civile në vitin 1990.

Izraeli deklaron se ka si synim që të heqë kërcënimin nga Hezbollahu dhe të kthejë banorët e zhvendosur në Izraelin verior. Nga ana tjetër, Hezbollahu thotë se po i reziston agresionit izraelit dhe po vepron në solidaritet me palestinezët në Gaza.

Ndërsa liderët botërorë takohen në Nju Jork, Presidenti i SHBA Joe Biden tha në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se një luftë në shkallë të plotë nuk është në interesin e askujt./tvklan.al