Këto janë pamjet kur 24-vjeçari Klajdi Serjani vihet në pranga nga policia sapo po dorëzonte 1 kilogramë e 50 gramë kokainë në kryeqytet.
Lënda narkotike ishte fshehur në qesen e kartonit që i riu mbante në dorë, të cilën e transportonte me automjetin e tij, së bashku me të arrestuarin tjetër, Euxhenjo Manushi.
Pas prangosjes së tyre, policia sekuestroi kokainën, që dyshohet se është e cilësisë tepër të lartë, vlera e së cilës sipas uniformave blu shkon në 270 mijë Euro.
Për kapjen e dy të rinjve, burime pranë Policisë së Tiranës bëjnë me dije se Klajdi Serjani dhe Euxhenjo Manushi kanë qenë prej muajsh në vëzhgim nga agjentët e antidrogës.
Dy të arrestuarit dyshohet se e ushtronin prej kohësh aktivitetin e shpërndarjes së kokainës në disa zona të kryeqytetit.
Njëri prej tyre, Klajdi rezulton të jetë i afërm me Pajtim Serjanin, një emër i njohur për policinë dhe drejtësinë shqiptare.
Tv Klan