Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Vazhdon operacioni “Rrjeta e hekurt”. Në Tiranë është bllokuar disko Onda, pasi pronari i saj Sokol Kana është arrestuar ditë më parë, me akuzën vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Gjithashtu në Kashar të Tiranës është arrestuar Lorenc Toluli, të cilit i është sekuestruar në banesë dhe një skaf me gjatësi 6 metra.

Edhe në Spille të Kavajës është bllokuar një gomone e paligjshme. Nga kontrolli në disa motele të Tiranës është bërë i mundur arrestimi i disa personave të kërkuar, Agush Katiraj i akuzuar për tentativë vrasje dhe Isuf Muça, pasi ka mashtruar një shtetas, pasi i ka marrë një sasi parash me premtimin për të siguruar një vizë.

Si rezultat i operacionit “Rrjeta e hekurt”, janë sekuestruar gjatë 48 orëve, 5 vila, 6 banesa, 10 lokale të ndryshme, një hotel dhe një punishte gomonesh. Janë sekuestruar gjithashtu 8 makina dhe janë bllokuar 30 të tjera. Janë bllokuar 14 skafe, 14 gomone dhe 25 mjete të tjera lundruese. Gjatë ditëve në vijim priten dhe të tjera urdhër-sekuestro që do të zbatohen nga policia gjyqësore.

Ndërkohë, kundër këtyre sekuestrimeve pronarë dhe administratorë kanë të drejtë të ankohen në gjykatë, ku pritet që të hënën të depozitohen ankesat përkatëse./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj