Drejtori i Përgjithshëm i Hetimit të Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, Ardian Çipa, i ftuar në emisionin “Opinion” në Televizionin Klan, me temë

“Kush e fsheh Kelmend Balilin?”

 deklaroi se hetimi për grupin kriminal ka qenë i përbashkët, mes autoriteteve greke, shqiptare dhe DEA -s. Arrestimi i Kelmend Balilit, sipas tij, në atë moment (Maj) nuk ka qenë as i autorizuar nga prokurori, as nuk kishin provat e duhura. Çipa shtoi se duhet të pritej dokumentacioni me anë të një letër – porosie nga autoritetet greke.

B. Fevziu: A kishit dijeni ju që Balili, siç thotë dhe shkresa, ka trafikuar 23 kilogramë kokainë në Britani të Madhe, një sasi të panjohur në Holandë, 560 kilogramë hashash në Bullgari?

A. Çipa:

Letër – porosia ka ardhur në Shqipëri, në Dhjetor të vitit 2016. Për këtë person ka një procedurë ligjore që ne e kemi dokumentuar dhe nëpërmjet komunikimit me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Vendimi i arrestit i lëshuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda për këtë person është më datën 9 Dhjetor.  Sipas legjislacionit në fuqi, ne nuk mund të bënim asnjë veprim pa ardhur letër – porosia.

B. Fevziu: Gjatë verës Balilaj është parë i shoqëruar në Sarandë me persona të rëndësishëm, madje dhe me politikanë…

M. Kikia: Ai është fotografuar dhe në skaf, pse nuk e kapët?

A. Çipa:

Ne kemi verifikuar dhe këto me skaf e pa skaf, nuk ka qenë ai. Nëse policia do ta identifikonte dhe do e konstatonte, do ta arrestonte. Kontrollet në atë periudhë kanë qenë të paligjshme për kapjen e tij.

M.Kikia: Para se të dilte urdhër arresti mund të arrestohej Balili?

A. Çipa:

Do ta arrestonim për shkak të sensibilitetit që ka kjo çështje. Nëse do arrestohej, arresti do të vlerësohej në gjykatë. Ai do mbahej në burg 40 ditë, derisa autoritetet greke të sillnin letër – porosi. Angazhimi për kapjen e Balilit është shumë i madh dhe gjej rastin për t’i bërë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë.

/tvklan.al