Rama: Pas zgjedhjeve të 2017, bëmë studim në selinë e PS për identifikimin biometrik
Kryeministri Edi Rama ka thënë se Partia Socialiste ka testuar identifikimin biometrik pas zgjedhjeve të vitit 2017. Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Rama tha se testimi u krye në selinë e Partisë Socialiste. Sipas tij, problemi më i madh është koha për ta implementuar.
Megjithatë, Kryeministri theksoi se mazhoranca e ka pranuar kërkesën e Partisë Demokratike dhe opozitës për identifikimin biometrik të zgjedhësve. Por, ai thotë se këtë proces duhet ta realizojë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. Kurse Partia Demokratike do të ketë zv/kryetarin e KQZ për të monitoruar implementimin.
Shefi i qeverisë theksoi se nëse arrihet të realizohet ky proces për zgjedhjet e ardhshme, atëherë PS do të hyjë në zgjedhje duke aplikuar identifikimin biometrik. Në rast të kundërt, tha Rama, do të duhet të marrin fund akuzat për sabotim.
“Me reformën zgjedhore po ndodh ajo që u tha qartë nga ambasadorja e SHBA. Topi është në fushën e PD dhe përsa na takon ne e kemi mbyllur këtë proces. Mendoj që kemi bërë të gjitha koncesionet e arsyeshme dhe mendoj që kemi në dorë një produkt të mirë.
Nëse do t’i qëndronim strikt kornizës së rekomandime të OSBE-ODIHR, ne nuk duhet ta diskutonim fare përfshirjen e teknologjisë në proces. ODIHR nuk e rekomandon përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje. Ne kemi bërë një studim pas zgjedhjeve të vitit 2017 me dëshirën për të adresuar këtë problem në mënyrë që alibia e elektronikës çudibërëse të binte. Dhe faktikisht nuk është diçka e pabëshme. Do të thotë një identifikim elektronik ofline. Problemi me këtë është që kjo është një gjë që kërkon kohë. ODIHR kërkon që në rast se një vend zgjedh të shkojë në drejtim të teknologjisë, në asnjë mënyrë nuk duhet të shkojë menjëherë. Ata sugjerojnë një ecje me faza, me projekt pilot. Ne donim që zgjedhjet e 2019 të shërbenin për të bërë funksionimin. Problemi që kemi sot është koha. Kemi humbur shumë kohë, jo për shkakun tonë po sepse nuk bëhen rregullat e lojës me molotov. Koha është shumë e shkurtër. Ne kemi bërë dhe simulime në selinë e PS. Dhe ajo që ne kemi marrë nga të gjitha analizat dhe konsultimet me kompanitë që e bëjnë, është që nga momenti i nënshkrimit të kontratës deri në lëvrimin e produktit, minimuni është 6 muaj.
Në rast se kontrata nënshkruhet në fund të Janarit, mbetet Shkurti dhe Marsi. Kështu që jemi në pamundësi objektive sipas meje. Ne jemi gati që të shkojmë në zgjehdje me 100% në teknologji, por nuk duam të përfshihemi në procesin e realizimit. Që do të thotë KQZ dhe PD duhet ta marrin përsipër këtë punë. Qeveria do të mbështesë financiarisht por nga pikëpamja e përgatitjes së procesit, tenderit, kontratës, implentimim, është KQZ që duhet ta bëjë. Dhe PD le të gjejë vetë personin zv/kryetar të KQZ me mandat strikt për ta ndjekur këtë proces që nesër mos kemi përsëri atë avazin e vjetër. Në fund u bë teknologjia, ne shkojmë me teknologjinë. Nuk u bë, nuk dëgjojmë më gër-gër se si ne e sabotuam”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.
Rama shpjegon si do të funksionojë administrata zgjedhore e depolitizuar
Depolitizimi i administratës zgjedhore është një nga çështjet ku ndahen opozita dhe mazhoranca në lidhje me Reformën Zgjedhore. Partia Socialiste kërkon depolitizim të plotë të saj.
Kryeministri Edi Rama, gjatë emisionit ‘Opinion’ këtë të enjte në Tv Klan tha se këtë reformë nuk e ka kërkuar qeveria, por është kërkesë e ndërkombëtarëve.
“Kjo nuk është diçka që lidhet me ne dhe çfarë na kushton ne. Kjo lidhet me një gangrenë 30-vjeçare të nënvizuar në çdo raport të ODIHR. Politizimi i tejskajshëm i komisioneve që kërkon depolitizim. Nuk e kemi kërkuar ne këtë reformë. Nuk besoj që në Shqipëri të paktën për një periudhë të gjatë kohore zgjedhjet të jenë prekur në komisione. Ne kemi përpara, një detyrë të qartë, të depolitizojmë administratën dhe kjo është kërkesë e ODIHR. Ajo që na kërkohet, unë them si klasë politike që jemi për veten tonë, një ligj zgjedhor bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR. Unë nuk jam ai që e kërkoi këtë. Nëse nuk është bërë 30 vjet, kjo nuk do të thotë që nuk do të bëhet 30 vjet të tjera. Kjo është kërkesë eksplicite e ODIHR-it. Ajo që na është kërkuar është marrëveshja mbi bazën e rekomandimeve me elementin thelbësor depolitizimin”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shpjegoi edhe se si do të funksionojë përzgjedhja e komisionerëve nëse bëhet depolitizim i administratës. Pjesa kryesore e komisioneve të votimit, sipas Ramës do të jetë e përbërë nga nëpunës civil.
Sipas tij, nëse një nëpunës i administratës shkel ligjet zgjedhore rrezikon burgun, humbjen e vendit të punës dhe humbet të drejtën për të punuar gjithë jetën në Shqipëri.
“Nuk kemi të bëjmë me një kohë, kur administrata ishte një falangë e madhe politike, por jemi shumë vite më pas. Është e thjesht llogaria, po të bëhet 7*7=42 nuk del, po të bëhet me aritmetikë del. Shqipëria ka nevojë për 16 500 komisionerë nëse janë me tre persona. Administrata publike shqiptare, ajo që është në statusin e nëpunësit civil dhe mbrohet me këtë status ka afro 16 000 persona. Ndërkohë, pavarësisht se këtu mund të përfshihen mësuesit, a mund të përfshihen të tjerë, është hapur hapësira që të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, që duan të regjistrohen vullnetarisht për të qenë komisionerë me kushtin që të kenë një diplomë dhe të mos kenë probleme me ligjin. Partitë mund t’i nxisin ata që kanë bërë komisionerin më parë që të regjistrohen. Kështu krijohet një rezervuar njerëzish që mund të shkojë 100 mijë persona. Në këtë rezevuar pjesa e administratës është e rëndësishme se do ta ketë me detyrim nëse i bie shorti. Do të bëhet me short, jo me emërim. Shorti do ta hedhë KQZ-ja në mënyrë transparente. Punonjësit e administratës do ta ketë me detyrim. Vullnetarin nuk e detyron, ditën e shtunë të thotë që jam sëmurë. Nëse më gjen në Shqipëri një nëpunës civil që është i gatshëm të shkojë në komision, të rrezikojë, humbet vendin e punës, humbet të drejtën për të punuar gjithë jetën në Shqipëri. Më trego se në Shqipëri nuk ka”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, opozita ka frikë nga zgjedhjet dhe jo nga administrata, ndërkohë që shtoi se partitë politikë mund të kenë në ditën e votimeve përfaqësuesit e tyre politik që do të jenë vetëm vëzhgues të procesit.
Kreu i qeverisë deklaroi se nga 9 mijë punonjës të administratës nëpër ministri, 67% e tyre ka hyrë në punë që në kohën e Partisë Demokratike në qeverisje ose më përpara dhe vetëm 33% pas vitit 2013, kur PS ka ardhur në pushtet.
Bllokimi në reformën zgjedhore, Rama: Basha nuk do zgjedhje, do pushtetin në tavolinë
Kryeministri Edi Rama në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Opinion” në Tv Klan, akuzoi liderin e opozitës, Lulzim Basha, se nuk do zgjedhje, por do pushtetin në tavolinë.
Rama tha se reformën zgjedhore nuk e ka kërkuar ai, por këtë peshqesh e kishte marrë nga Bundestagu pas akuzave të opozitës për vjedhje në zgjedhje.
“Për mua zgjedhjet në Shqipëri është koha t’i bëjnë ata të cilët janë në lidhje me shtetin, me rrogën, me ligjin dhe jo me partinë. Opozita nuk është e frustruar, është e frikësuar nga zgjedhjet. Opozita, më saktë Lulzim Basha nuk do zgjedhje, do pushtetin në tavolinë. Nuk do zgjedhje”, tha Rama, duke shtuar se “s’ka për ta marrë ndonjëherë”.
Kreu i ekzekutivit ripërsëriti shprehjen e ambasadores amerikane se “topi tashmë është në fushën e Bashës” , por shtoi se “bllokimi në reformën zgjedhore është rezultat i frikës nga zgjedhjet i Kryetarit të PD, dhe asgjë tjetër.”
“Mos harroni që ne në parlament na duhen 84 vota, dhe ne nuk i kemi. Dhe sa më shumë ju, sa më shumë ata të bëjnë avokatinë që gjithë politika dhe gjithë Shqipëria dhe gjithë media duhet të kurojnë frikën e Lulit, aq më shumë ai draft humbet mundësinë për t’u votuar nga ata që janë në parlament, të cilët mund t’i konsideroni si të doni, por kanë një vote atje dhe janë përfaqësues të opozitës, të lënë aty mbasi ikën të tjetër. Nuk i kam zgjedhur unë, i ka zgjedhur Luli me Monikën.”
Depolitizimi i komisioneve zgjedhore, tha Rama, për të nuk ka pikë rëndësie dhe se mazhoranca mund të vazhdojë me të njëjtën mënyrë kompozimi të komisioneve, por kjo është kërkesa kryesore e ODIHR-it.
Rama flet për udhëtimin në Paris: Jam Kryeministri, nuk jam qytetar normal
Partia Demokratike ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama se kishte shkuar në Paris fundjavën e kaluar me charter duke shpenzuar 100 mijë Euro.
Shefi i qeverisë ka pranuar udhëtimin në Francë. Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kryeministri Rama u pyet sërish nga gazetari Blendi Fevziu për udhëtimin e tij në Paris.
“Kufijtë janë të mbyllur. Unë kam kaluar në mënyrë klandestine me avion. Unë shkova me avion. Si u ula në kufij të mbyllur? Nuk jam normal qytetar, jam Kryeministri i Shqipërisë dhe kam shkuar ditën e premte pasdite. Kam pasur takim të rëndsishëm informal pune, jam kthyer ditën e shtunë në mesditë. Mund të them me njerëzit e Presidentit të Francës”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.
Kryeministri jep lajmin e mirë: Biznesit të vogël i heqim taksat deri në vitin 2029
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një lajm të mirë për bizneset e vogla, të cilat do të lehtësohen nga taksat. Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kryeministri u shpreh se qeveria është duke përgatitur një ligj për bizneset e vogla me xhiro deri në 140 mijë Dollarë në vit, që të mos paguajnë asnjë taksë deri në vitin 2029.
“Ne po punojmë dhe një nga gjërat që besoj unë mund të thuhet sot, është që ne shumë shpejt, do ta ligjërojmë nuk është një premtim, që biznesit të vogël çdo shqiptari që punon dhe krijon punë me një biznes të vogël deri në 140 mijë Dollarë xhiro, do t’i heqim taksat deri në vitin 2029. Zero! Nuk do të paguajnë asnjë tatim-fitimi. Biznesi i vogël në Shqipëri është ai biznes që ka një xhiro nga +1 deri në 140 mijë Dollarë në vit.
Ne kemi një biznes të vogël që mban në punë një numër të konsiderueshëm familjesh. Janë njerëz që e krijojnë punën vetë me një kafe, me një dyqan, me një lokal dhe që përballojnë një torturë prej 30 vitesh me inspektorë, me kontrolle, me rikontrolle, me ata që ju vijnë në emër të shtetit pastaj ju thonë më jep një kafe, pastaj më jep dy kafe. Dhe ne duam që t’ja u heqim këtyre. Këta njerëz duhet të jenë njerëz të lirë në Republikën e Shqipërisë që me shtetin do kenë vetëm një marrëdhënie, që të kenë vetëm marrëdhënien e të qenit roje të shtetit për biznesin e madh. Që këta njerëz nuk do kenë detyrim të paguajnë asnjë lek deri në vitin 2029. Vetëm tatim-fitimi”, deklaroi Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al
Rama: Vendosim rregullat e lojës pastaj diskutojmë për sistemin zgjedhor
Kodi Zgjedhor që kemi është i përmirësueshëm dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR kanë këtë qëllim sipas kryeministrit Edi Rama. Kreu i qeverisë ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” për të folur rreth Reformës Zgjedhore.
Ai u pyet nga analisti Artan Hoxha se çfarë mendon për ndryshimin e sistemit zgjedhor, një kërkesë kjo e opozitës parlamentare.
Rama tha se bëhet fjalë për një proces me dy shkallë, prandaj në fillim duhet të ketë konsensus për rregullat e lojës dhe pastaj mund të diskutohet për sistemin zgjedhor.
“Kemi Kodin që nuk e kemi të keq, është i përmirësueshëm dhe rekomandimet e ODIHR-it përmirësojnë. Ajo që e ka bërë këtë situatë këtu, se po të mos ishte kjo nuk do merreshim me aspektet psikologjike të frikës së kryetarit të opozitës, por jemi në kushtet kur Shqipëria është mirë që të mos rindahet dhe që balta të mos rifillojë të shkojë në kanalet drejt Europës dhe të arrihet një marrëveshje e të gjithëve që do të marrin pjesë në zgjedhje. Pavarësisht se opozita është në parlament një pjesë, e dimë shumë mirë që konkurrentët tanë janë jashtë parlamentit. Për respekt të konkurrencës, për respekt të votuesve të të gjitha palëve, ne po durojmë, por ne në këtë pikë e kemi thënë, unë e kam thënë me kohë, që PO hajde ta diskutojmë edhe sistemin, por kjo është një proces me dy shkallë. Shkalla e parë është detyrimi i përbashkët i të gjithëve për rregullat e lojës dhe në raport me ecurinë e zgjedhjeve, progresin e zgjedhjeve dhe me BE që të përmirësojmë Kodin me rekomandimet. E bëmë këtë, patjetër mund të diskutojmë dhe me sistemin. Ne kemi bindjet tona”, tha Rama.
Sa i përket sistemeve zgjedhore me lista të hapura, kreu i qeverisë deklaroi se sido që të jetë, në fund janë kryetarët e partive ata që vendosin për emrat e kandidatëve.
“Unë nuk mendoj se ka sistem të mirë dhe sistem të keq. Unë mendoj që të gjitha sistemet e provuara si sisteme demokratike janë demokratike. Nuk ka një sistem që ka të mira dhe të këqija. Çdo sistem ka natyrën e vet. Varet çfarë produkti kërkon. Mendoj që ata që flasin për listat e hapura si një mundësi që të transformohet komplet përmbajtja e burimeve njerëzore gabojnë. Ato që thonë se listat e hapura iu heqin kryetarëve të partive atë që është drejtpërdrejti mandati i tyre, përgjegjësia për të thënë fjalën e fundit mbi skuadrën gabojnë. Listat si të hapura, si të mbyllura, në fund i miraton kryetari i partisë. Në listën e mbyllur janë 20 veta, nga të cilët 10 fitojnë, në listën e hapur janë 20 vetë që janë me probabilitet fitoreje që të gjithë, por që të gjithë i cakton kryetari i partisë. Ata që janë në parlament sot, i ka sjellë firma e Lulzim Bshës dhe Monika Kryemadhit”, tha Rama.
Ndryshimi i sistemit, Rama: Mos u çudisni, mund të kënaqim edhe opozitën parlamentare
Kreu i qeverisë deklaroi se mund të ndodhë ndryshimi i sistemit. Kjo për faktin sepse duhet kënaqur edhe opozita parlamentare që në fund do të votojë Reformën Zgjedhore.
“Të bëjmë Kodin ta mbyllim këtë detyrim që është i të gjithëve ne për rregullat e lojës dhe për sistemin flasim. Mos u çudisni fare që kjo gjë mund të ndodhi dhe jo vetëm të flasim dhe mund të bëjmë ndonjë. Këtu ka një opozitë që është jashtë dhe që merret me komisionerë akoma, ka një opozitë që merret me sistemin. Ne mund të na duhet që t’i kënaqim të gjitha opozitat se asaj jashtë duhet t’i japim dopingun që t’i ikë frika dhe asaj brenda mundësinë që të votojë. Mos u çudisni, mund të ndodhë edhe kjo”, tha Rama./tvklan.al
Tarifa dhe karantinimi për shqiptarët, Thaçi: Incidentale, nuk do të lejojmë…
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një interviste për gazetarin Blendi Fevziu në “Opinion”, “ndodhitë” e ditëve të fundit në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë i quajti incidentale, ndërsa theksoi se “nuk do të lejojmë të ketë asnjë pengesë në drejtim të lëvizjes së njerëzve.”
Blendi Fevziu: A u zgjidhën ngërçet e lëvizjes mes Shqipërisë dhe Kosovës, pati një tensionim në momentin e fundit kur u kërkua një tarifë ekstra dhe karantinimi?
Hashim Thaçi: Besoj se ajo tarifë ka qenë e panevojshme, por dua të besoj se tashmë gjithçka është e tejkaluar dhe nuk do të ketë probleme sa i përket lëvizjes së lirë nga Kosova në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Kosovë.
Blendi Fevziu: Lëvizin lirshëm dhe nuk do të ketë asnjë barrierë?
Hashim Thaçi: Kanë qenë mund të them lirisht incidentale, ato që kanë ndodhur në 2-3 ditët e fundit dhe tani e tutje nuk duhet të ketë dhe nuk do të lejojmë të ketë asnjë pengesë në drejtim të lëvizjes së njerëzve në drejtim të Shqipërisë dhe nga Shqipëria në Kosovë.
Thaçi, tha se po vizitonte Tiranën për një takime “miqësore me Presidentin Ilir Meta dhe Kryeministrin Edi Rama”, “që të diskutojmë për zhvillimet edhe në Kosovë edhe në Shqipëri.”
Hashim Thaçi: Nuk do të ketë pazare me kufijtë, ideja ime…
Kosova do të njihet nga Serbia duke respektuar kufijtë territoriale të sotëm. Kështu u shpreh këtë të enjte Presidenti Hashim Thaçi gjatë një interviste përballë gazetarit Blendi Fevziu në Tv Klan.
Kreu i shtetit kosovar tha që është entuziast që Presheva, Medvegja dhe Bujanovci t’i bashkohen Kosovës, por kjo pa cënuar territorin e sotëm.
Ai u shpreh se nuk do të ketë asnjë pazar dhe asnjë shkëmbim territoresh. Sipas Thaçit, e gjithë ideja ka qenë që të bëhej një korrigjim, në mënyrë që këto tre zona t’i bashkangjiten Kosovës sepse është e drejtë historike, por edhe sepse Serbia nuk ka asnjë interesim për ata qytetarë.
Blendi Fevziu: Qëndron akoma ideja e shkëmbimit të territoreve të Kosovës?
Hashim Thaçi: Kosova do të njihet në fund nga Serbia si shtet i pavarur dhe sovran duke respektuar shtetin integral dhe territorial të sotëm.
Blendi Fevziu: Po Presheva, Medvegja dhe Bujanovci?
Hashim Thaçi: Unë jam ithtar dhe entuziast që Presheva, Medvegja dhe Bujanovci t’i bashkëngjiten territorit të Kosovës pa u cënuar territori i Kosovës sepse është e drejtë historike.
Blendi Fevziu: Si do të bashkohen ato?
Hashim Thaçi: Unë pa hezitim dhe pa frikë do ta shtroj këtë çështje.
Blendi Fevziu: Ideja e vetme e një shkëmbimi të mundshëm ishte që Presheva, Medvegja dhe Bujanovci t’i bashkëngjiten Kosovës duke hequr veriun.
Hashim Thaçi: Pazare nuk do të ketë, nuk do të ketë shkëmbim. Ideja ime nuk ka qenë e tillë. Ideja ime ka qenë që të kemi një korrigjim, ku Presheva, Medvegja, Bujanovci t’i bashkangjiten territorit të Republikës së Kosovës sepse Serbia nuk ka ndonjë interesim për ata qytetarë atje./tvklan.al