Të ftuar:
Artan Hoxha – Gazetar
Klodiana Lala – Gazetare
Artan Hoxha – Analist
Julian Hodaj – Zv.Minister i Brendshëm
Lorenc Vangjeli – Analist
Fatjona Medini – Gazetare
A po dështon policia në arrestimin e personave në kërkim? Në emisionin Opinion këtë të hënë u diskutua mbi ngjarjet e fundit kriminale, ku personazhe kryesorë ishin njerëz në kërkim.
Sipas zëvendës ministrit të Brendshëm, Julian Hodaj, duke iu referuar shifrave, policia ka bërë një punë të mirë. Ai pretendon se me krijimin e “FAST”, një strukturë e posaçme për arrestimin e personave të shpallur në kërkim, puna e policisë do të jetë më efektive.
Por gazetarja Klodiana Lala, tha se elementët kriminalë rekrutojnë policë për të siguruar “mbrojtjen”. Si shembull përmendi Admir Muratajn, që dyshohet si truri i disa grabitjeve të bujshme.
“Admir Murataj rekrutonte punonjës policie. Përdorte dhe identitete të tjera. Këta njerëz që kishin ndikim në polici, vinin dhe bënin karshillëk në mes të kryeqytetit. Këta njerëz vijnë dhe bashkëjetojnë në zonat më të populluara të Tiranës”, tha gazetarja.
Ndërkohë Artan Hoxha tregoi mesazhin që mbërriti në telefonat e drejtuesve të policisë në kohën kur Saimir Tahiri ishte ministër i Brendshëm, dhe SHBA kërkonte me ngulm arrestimin e Klement Balilit.
“Balili, Balili, Balili Balili… Ky mesazhi mbërriti në telefonat e drejtuesve të policisë nga Saimir Tahiri, në atë kohë. Dua këtë se ma kërkon ambasadori. Ne nuk duam të kemi prioritet atë që na cakton ambasadori”, tha gazetari.
Operacioni i zhvilluar në Komunën e Parisit nga forcat RENEA u bë për arrestimin e Ibrahim Lici, i dyshuar si ekzekutor në disa vrasje të bujshme në Shkodër.
Artan Hoxha në Opinion tha se policia kishte informacion se ai fshihej aty bashkë me dy ndihmësit e tiij.
“Është një operacion, pjesëmarrja e Forcave Speciale dhe me snajper, nga mënyra si u bë evakuimi, duke patur parasysh dhe pajisjet speciale të efektive të RENEA-s tregonte se bëhej fjalë se mund të kishte dhe përplasje. Atë ditë është ndjekur procedura standarde që ka reparti special. Kishte informacion se aty ndodhej njëri nga ekzekutorët kryesorë të ngjarjeve në Shkodër, Ibrahim Lici bashkë me dy ndihmësit”, tha Hoxha.
Sipas gazetarit për arrestimin e tyre u zhvillua dhe një operacion në Velipojë, ku u gjet një arsenal i madh municionesh ku përfshihej dhe pajisje kundra-tank.
Të dielën në Tiranë u arrestua 33-vjeçari Barush Bregu dhe Bajram Çekorja, 21 vjeç, po nga Shkodra.
Gazetarja Klodiana Lala ka folur në studion e emisionit “Opinion” për aksionin e sotëm në qytetin e Sarandës. Ajo tha se nëndrejtori i spitalit të Sarandës, Florenc Llanaj ishte një anëtar aktiv i bandës, që akuzohet për trafikim të kanabisit.
“Janë tetë të arrestuar. Zyrtarët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda thonë që do jenë më shumë. Nëndrejtori i Spitalit është anëtar aktiv i bandës, nga burimet thonë që merrej me trafik droge dhe ka përgjime disa mujore të realizuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Nesër Prokuroria dhe Policia do të kenë një konferencë të shtyp. Flitet për një trafikim në sasi të mëdha kanabisi. Në këto momente, aksioni është ende në vijim. Po bëhen kontrolle banesash, ka kontrolle shtëpish”, tha Klodiana Lala.
Deri më tani janë zbuluar identitetet e pesë personave të ndaluar Adrian Xhibro, Florenc Llanaj, Edvin Xhibro, Mikel Jorgji, Armando Zholi. Policia nuk ka dhënë detaje zyrtare, por sipas burimeve mësohet se grupi hetohej prej kohësh për veprimtari në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Saranda është një nyje e transportimit të sasive të mëdha të marijuanës drejt Greqisë përmes kufirit tokësor por edhe një pikë tranziti e trafikimit të llojeve të forta të drogës si heroinë dhe kokainë.
Lorenc Vangjeli ka folur në studion e emisionit “Opinion” për aksionin që u zhvillua në zonën e Komunës së Parisit ditën e shtunë në Tiranë. Vangjeli tha se pasi ishte konsultuar edhe me ekspertë, ai aksion ka qenë tërësisht i papërshtatshëm nga policia pasi mund të shkaktoheshin viktima të pafajshme.
“Tërësisht i gabuar, i pastudiuar. Zoti na ka ruajtur pa ndodhur një hata atje. Dhjetë vjet më parë një aksion në plazhin e Durrësit, i ngjashëm, përfundoi me vdekjen e 4 policëve dhe Zoti shpëtoi qytetarë të thjeshtë me shapka në plazh. E njëjta gjë, ku ka gra, fëmijë, pleq, ndodh ky agresion. Mjaftonin dhjetë veta të veshur civilë, të shihnin dhe ta arrestonin. Edhe nëse iknin ata të shumëkërkuar, të prisnin në një moment të dytë. Unë kam konsultuar ekspertë policie, e quajnë të papërshtatshëm. Zoti na ka ruajtur në atë zonë”, ka thënë Vangjeli.
Humb jeten ushtarakia shqiptare!