#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Investimi i supozuar në Sazan që vjen në emër të Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe kandidati kryesor i republikanëve për garën elektorale presidenciale të këtij fundviti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijon të mbetet në qendër të vëmendjes. Duke iu referuar shtypit ndërkombëtar rikthehet sërish vëmendja te Sazani, i cili është një pikë e madhe diskutimi dhe për atë se çfarë mund të ndodhë, pra sa e nevojshme për Shqipërinë të ketë një investim të tillë. Bëhet fjalë për një investim, i cili deri tani sipas shtypit perëndimor, “Bloomberg” dhe “The New York Times”, flitet për një resort që mund të menaxhohet nga kompania Aman, e cila është sot kompania më e rëndësishme e industrisë hoteliere të luksit në botë. Bëhet fjalë për një kompani, e cila kryesisht funksionon në vende më të veçuara, ka pak hotele qyteti dhe në vende historike duke ruajtur traditat e tyre. Por njëkohësisht ky investim, i cili ka ngritur shumë pikëpyetje për mënyrën se si erdhi dhe për mungesën e informacionit në Shqipëri, rihap sërish një debat, çfarë do të ndodhë më këto investime?

“Sazani”, Tare mbështet projektin: Pas Kushnerit ka njerëz më të rëndësishëm se ai

Këtë të hënë në emisionin “Opinion” u zhvillua një debat në lidhje me projektin e propozuar nga Jared Kushner, dhëndri i ish-Presidentit Donald Trump, për të investuar në Sazan. Auron Tare, i cili ishte i ftuar në studio, tregoi se ka qenë ai i pari që i ka çuar atë dhe bashkëshorten e tij, vajzën e Trump, Ivankën, në Sazan. Ai u shpreh se është pro projektit dhe e mbështet atë.

Sipas Tares, pas këtij projekti ka njerëz edhe më të rëndësishëm se vetë Kushner që janë pjesë e financave botërore. Kjo është një nga arsyet sipas tij, pse projekte të tilla janë të rëndësishme. Ai theksoi se personalisht nuk ka asnjë interes personal dhe këtë e bën për vendin për arsye sepse ka jetuar për disa kohë në Sazan për të kuptuar se çfarë mund të bëhet për ta zhvilluar atë zonë.

Auron Tare: Pse erdhën këta njerëz dhe pse unë i çova, i ftova sepse ata nuk e dinin fare ku binte Sazani për hir të së vërtetës.

Blendi Fevziu: Ti i çove domethënë i pari?

Auron Tare: Si urdhëron. Biles kam marrë disa telefonata nga njerëz që ishin shumë të revoltuar sepse mendonin se unë i kam çuar për një biznes privat dhe nuk e kuptoj që për të bërë diçka për të mirën e vendit tënd mund ta bësh edhe pa asnjë lloj interesi personal. Unë sot jam qytetar, jetoj në Amerikë nuk kam lidhje fare me këtë projekt. As Rama nuk më ka thirrur e as ai nuk më ka thirrur për të marrë mendje. E kam bërë për vendin tim sepse kam kaluar një pjesë të mirë të kohës atje për të kuptuar çfarë mund të bënim. Prandaj i thirrëm nëpërmjet një mikut tim dhe i thamë kjo ka qenë koncepti jonë, për të ruajtur gjithë ishullin, dhe për të ruajtur një lloj nuklusi investimi të fortë ku duhet të dini diçka, nuk është vetëm Kushneri aty mbrapa. Aty janë disa njerëz shumë të rëndësishëm, më të rëndësishëm se Kushneri vetë.

Blendi Fevziu: Të financave botërore?

Auron Tare: Të financave botërore, të cilët janë pjesë e kësaj gjëje. Janë disa njerëz shumë të rëndësishëm. Nuk janë vetëm fondi i arabëve, janë edhe fonde të tjera. Janë edhe njerëz të tjerë të përfshirë me qeveri të tjera e tjerë, e tjerë. Për mua, i cili ka katër vjet që publikisht është kundër qeverisë për Butrintin, unë po ta mbroj publikisht dhe nëse kjo ndodh do të jetë një gjë shumë e mirë për Shqipërinë dhe për turizmin e Vlorës nëse kjo ndodh. Pra nëse ne kemi mundësi të thërrasim këta lloj njerëzish, këto lloj markash si Amani, dhe këto lloj lidhjesh politike sepse janë edhe investime politike. Nuk mund ta mohojmë që është lidhje politike dhe të kesh lidhje të nivelit kaq të lartë të financave botërore me këtë projekt unë mendoj, mund të jem i gabuar, unë mendoj që është shumë e rëndësishme dhe për këtë punë jam investuar dhe e them publikisht, e mbështes.

I pyetur nëse ka shanse të bëhet, Tare tha se “shpreson që po”, por është skeptik pasi investimi është shumë i madh. Sa i përket qytezës në Sazan, Tare tha se pjesa më e madhe aty është bërë nga italianët, sovjetikët dhe kinezët.

“Mi dhe lepuj ka dhe interesante është që ka shqiponja, i vetmi vend që nuk i vrasin se nuk ka njerëz se në vendet e tjera i vrasin”, e përfundoi ai fjalën e tij.


“Do fitojë Kushner apo shqiptarët”, plas debati për Sazanin: E shohim në Nëntor…

Investimi në ishullin e Sazanit është tema e emisionit të sotëm në “Opinion”. Pikërisht ky transformim që pritet të ndodhë në vijim në këtë zonë, ngjalli debat në studio.

Gazetarja Fatjona Mejdini e cilësoi si “kazino politike” gjithë procesin, duke theksuar se dhëndri i Donald Trump nuk u zgjodh krejt rastësisht nga qeveria shqiptare. Ishte deputeti socialist Arben Pëllumbi i cili e kundërshtoi duke thënë se nuk mund të hidhen akuza të tilla kur ende nuk dihen shumë detaje mbi projektin.

Arben Pëllumbi: Dëgjova me shumë vëmendje dhe këtu duket sikur është ndërtuar ky fondi, po intrigohet këtu në Shqipëri për lojëra politike që zhvillohen në Amerikë.

Fatjona Mejdini: Janë 1 miliard dollarë për 3 projekte, 500 mln do shkojnë për projektin e Beogradit, ajo që ngelet për Shqipërinë për të dyja projektet është 500 mln dollarë.

Arben Pëllumbi: Duket sikur këtu në Shqipëri do zbulojmë intrigat se çfarë ndodh dhe pse javën e kaluar u publikua një shkrim, u gjetën lidhje se mos kushedi fillon shkëmbim territoresh në Kosovë. Ne Ballkani, pra ne shqiptarët duam të gjejmë të gjitha vegjat. Botëkuptimi i vogël që ne kemi këtu, duke filluar nga ne i pari dhe tek ju, duket se çdo gjë që ndodh duhet të ketë intriga mbrapa, sikur këtu thuren komplote. Është thjesht çështje biznesi, investimi për të fituar.

Fatjona Mejdini: Do fitojë Kushner apo shqiptarët?! Se Kushneri do fitojë se ai për të fituar ka ardhur.

Arben Pëllumbi: Nëse ju jeni personi më i aftë për biznes në këtë vend dhe po u jepni mend atyre që merren me këtë punë, në rregull. Po ata që do merren në të ardhmen, do kenë më shumë eksperiencë sesa ju.

Fatjona Mejdini: Unë s’jam as biznesmene, as eksperte turizmi, jam qytetare shqiptare, gazetare në shërbim të publikut që bëj pyetje.

Arben Pëllumbi: Hodhët gjithë ato akuza, ngritët një komplot…

Fatjona Mejdini: Po pse u zgjodh Kushner, krejt rastësisht u zgjodh? Ai është investitori më i madh në botë?!

Arben Pëllumbi: Ajo që dimë ne është shprehje interesi, deri te projekti konkret kanë për të kaluar vite.

Fatjona Mejdini: Nëntori do jetë deçiziv për këtë projekt, pa asnjë dyshim!

Gazetarja më tej u shpreh se Shqipëria vitin e kaluar ka kapur rekordin e 10 mln turistëve dhe këta investitorë nuk po i “bëjnë asnjë nder vendit.”

Arben Pëllumbi: Të bësh një konkurs duhet të bësh vetë, të thuash dua të ndërtoj këtë gjë. Pastaj ta shikosh a do të vijnë njerëz.

Fatjona Mejdini: Pse nuk ndodh? Ta shikosh vlerën e Sazanit, a do vijnë investitorë seriozë.

Arben Pëllumbi: Duhet të shpenzosh zonjë!

Fatjona Mejdini: Të bëhet me tender të hapur…

Arben PëllumbiKushton!

Fatjona Mejdini: Kushton kjo, kushtoka një reklamë. Kjo tjetra me dyer të mbyllura nuk kushton…Kjo do u kushtojë shqiptarëve më vonë, e kuptoj unë këtë.