#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Të ftuar: Klodiana Lala, Artan Hoxha, Gerta Zajmi, Arbër Hitaj, Ferdinand Dervishi

Më 20 tetor, një deputet i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja i cili është denoncuar edhe më parë nga Partia Demokratike u arrestua pasi kishte lënë mandatin vetëm pak ditë më parë pas një thirrjeje në SPAK. U tha se ai ishte arrestuar në kushtet e flagrancës, por ndodhej në lokalin e tij e megjithatë tronditës është fakti që për të ka një sërë gjetjesh që kanë dalë nga zbërthimi i Sky ECC ose EncroChat, dy prej platformave sekrete që po krijojnë një panoramë të plotë të botës së krimit në Shqipëri. Çfarë po ndodh me deputetin e PS? Cili është roli i tij? Cila është e shkuara e tij?

Klodiana Lala: Ish-deputeti Jurgis Çyrbja informonte grupin më të rrezikshëm kriminal në Durrës

Jurgis Çyrbja, ish-deputeti i PS deri para pak ditësh, u arrestua së fundmi nga SPAK pasi i jepte grupeve kriminale informacione sekrete.

Në emisionin Opinion në Tv Klan, gazetarja Klodiana Lala ka treguar një tjetër rast episod, përveç atij të të kërkuarit ndërkombëtar Altin Hajri, se si Jurgis Çyrbja i kishte dhënë informacione një grupi kriminal në Durrës.

Gazetarja Lala, duke iu referuar dosjes së SPAK, deklaroi se bëhet fjalë për një grup të fuqishëm kriminal në Durrës, që javët e fundit ka patur një aksion për arrestimin e kreut të këtij grupi, por që nuk ka mundur. Megjithatë, i gjetën celularin e harruar mbi tavolinë.

Klodiana Lala: Informonte një grup për të cilin nuk është folur thuajse fare. Është një grup thuajse i panjohur për publikun shqiptar, por në këndvështrimin tim është ndër grupet më të rrezikshme që ka vepruar në Durrës, grupi i Kreshnik Budllës Farrukut. Klani kriminal Farruku konsiderohet për momentin një ndër klanet më të fuqishme në qytetin e Durrësit, në zonën e Manzës. Kreshnik Budlla Farruku në atë kohë akuzohej dhe kërkohej nga autoritetet italiane.

Blendi Fevziu: Si i merrte këto dokumente Çyrbja?

Klodiana Lala: Së pari ishte në Komisionin e Sigurisë Kombëtare se ishte deputet, shkojnë dokumente nga të gjitha llojet. Të tjerat i merrte nga Policia e Shtetit dhe njerëz të drejtësisë. Kreshnik Budlla Farruku nuk u arrestua në atë kohë. Më pas, pati një ndalim dhe lirim nga ana e drejtësisë shqiptare, shkoi në arrest shtëpie. Para 3 javësh u bë një tjetër aksion i SPAK për arrestimin e Kreshnik Budllës Farrukut. Në momentin që ka ndërhyrë skuadra operacionale për ta arrestuar Kreshnik Budlla Farrukun, nuk e kanë gjetur aty, kanë gjetur vetëm darkën e shtruar, kanë qenë 15-20 veta në atë darkë. Kreshnik Budlla është larguar nga vila e tij luksozë në Manzë, por ka lënë celularin të hapur aty. Nisur nga kjo indicie dhe janë zbërthyer të gjitha kontaktet, më pas SPAK ka kërkuar me urgjencë informacion te autoritetet franceze për të identifikuar edhe personat të cilët janë të përfshirë në këtë gjë. Me këtë rastin e fundit SPAK ka vetëm 1 javë që merret.

“Deputetin e cakton krimineli në Durrës”, Dervishi: Luftë mes 2 të fortëve të qytetit bregdetar

“Të gjithë deputetët me peshë në Durrës janë investim i krimit”, kështu është shprehur gazetari Ferdinand Dervishi në studion e “Opinion” në Tv Klan.

I ftuar në emision, Dervishi ka folur me emra përsa i përket lidhjes së të fortëve të Durrësit me politikën si dhe për arrestimin e ish-deputetit të PS-së, Jurgis Çyrbja.

Ferdinand Dervishi: Për Ilir Ndraxhin, siguron vota krimi edhe ky është i pesti në listë. Për Jurgis Çyrben siguron vota krimi dhe është i treti në listë. Për Rrahman Rrajën siguron vota krimi dhe për Lefter Kokën është i shtati në listë, kemi të njëjtën histori që bëhet fjalë për korrupsionin. SPAK po korr atë batutën e vitit 2013 “aleancë me djallin vetëm të rrëzojmë PD-në”. Është mbjellë gruri dhe tani po korret. Të gjithë deputetët me peshë në Durrës janë investim i krimit. Durrësi është një qendër e madhe dhe ka portin e Durrësit ku lëvizin shumë gjëra dhe ku lëvizin dhe tonelata me drogë që vijnë nga veriu i Amerikës Latine. Deri dje ka qenë Vangjush Dako që ka qenë rregullatori. Tani në Durrës aktualisht është zhvilluar deri në arrestimin e këtij ajo që quhet lufta e 2 Ergisëve, njëri është Jurgis ky që u arrestua dhe është edhe një Ergis Agasi që doli tek Rai 3 dhe e përmend dhe Ahmetaj. Ka mbështetje nga mrapa dhe është personi në hije që aludohet si person i PS-së që bën lidhjet dhe fijet e krimit në Durrës.  

Blendi Fevziu: Pse bandat caktojnë deputetët?

Ferdinand Dervishi: Këta 2 po t’i shohësh – Jurgis Çyrbja del mik me Emiljano Shullazin, mik me bandën e Durrësit, mik me Altin Hajrin dhe Avdylajt e Shijakut. Del ky tjetri që është bërë më i fuqishëm. Ka qenë një luftë mes dy drejtimeve. Unë nuhas një rast të ngjashëm me Ahmetajn. U lëshuan të gjithë për ta groposur dhe e gropsën. Shoh një lëvizje shumë të shpejtë të arrestimit të tij. Më duket sikur këtu ka një shtytje. Pas largimit të Dakos ka pasur një luftë, lufta e 2 Ergisëve dhe kjo luftë është fituar nga një Ergis. Ky ka dalë në përgjime.

Blendi Fevziu: Pse bandat kishin fuqi të vendosnin nëj deputet?

Ferdinand Dervishi: Në 2013-ën u hodh parulla aleancë me djallin dhe u nda me krimin, sidomos në zona të vështira, siç ishte Durrësit. Deputetin e cakton krimineli. Nuk është bërë vetëm ky. Shikojeni listën, Ilir Ndraxhi. Këto personazhe përfaqësojnë fundërrinat e Durrësit, përse duhet të jenë këto deputetët e Durrësit? Ai e meriton të jetë brenda, ajo që dyshojmë është se u bë shumë shpejt. Duket se është një forcë tjetër përveç SPAK-ut.

Blendi Fevziu: Ky person është zgjedhur nga bandat, ka marrë mandatin e deputetit dhe i ka bërë shërbim bandave?

Ferdinand Dervishi: Krimi në Shqipëri ka pushtet. Çyrbja nuk është kriminel, është bërë kriminel duke bashkëpunuar me krimin. Politika të kriminalizon.

Familja përkrahte të majtën që në ’90-ën, Hitaj tregon fillimet e karrierës së Jurgis Çyrbjas në PS

Arrestimi i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbjas dhe akuzat e SPAK ndaj tij janë tema e mrbëmjes në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Duke iu kthyer fillimeve të karrierës së Çyrbjas, gazetari Arbër Hitaj shpjegoi se gjithçka nis nga historia familjare.

Sipas Hitajt, familja Çyrbja ishte ndër të paktat në Shijak që përkrahte Partinë Socialiste. Fillimisht ishin një familje e thjeshtë që kishte një restorant derisa Çyrbja u bë drejtor i kadastrës Durrës.

Arbër Hitaj: Unë kam komunikuar sot me kolegët tanë në Durrës dhe i kam pyetur çfarë do të thotë për Partinë Socialiste Jurgis Çyrbja, si ka shkuar atje?

Blendi Fevziu: Si është ngjitur në hierarkinë e PS,  po.

Arbër Hitaj: Familja Çyrbja mesa kam marrë vesh, është ndër të pakta në Shijak që edhe në vitet ‘90 ka qenë e majtë, ka qenë e rreshtuar majtas, pra ka pasur një historik në Partinë Socialiste dhe deri te pjesa që çfarë më kanë komunikuar kolegët e Durrësit që kanë një historik…

Blendi Fevziu: Çfarë moshe ka Çyrbja?

Arbër Hitaj: Diku te 44-45. Deri te periudha që u bë drejtor i kadastrës, kanë qenë një familje e thjeshtë, kishin një restorant në Shijak.

Hitaj shtoi se kadastra e Durrësit është edhe një nga më të rëndësishmet.

Arbër Hitaj: Futja e tij në PS ka qenë kjo në fillim. Pastaj në krye të kadastrës mos të harrojmë edhe një gjë, kadastra e Durrësit është një nga kadastrat më të rëndësishmet sepse është një nga zonat me më shumë prona, grupet kriminale, janë rrahur edhe investitorët e huaj. Probleme me kadastrën kemi pasur në Vlorë, Vlora ka qenë skandal, pra është një situatë që shtrihet shumë në kohë, por fillimi i karrierës së Çyrbjas ka qenë familjare.

Arrestimi i Ilir Metës/ Dervishi: Kishte të drejtë të mos bindej, nuk i treguan vendimin e gjykatës

Gazetari Ferdinand Dervishi mendon se skena e arrestimit të ish-Presidentit Ilir Meta nuk ishte e duhura.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, gazetari Dervishi theksoi se në pamjet e publikuara në media nuk u pa në asnjë moment që agjentët e Forcave Operacionale t’i tregonin Ilir Metës urdhrin e gjykatës për masën e sigurisë “arrest në burg”.

Ilir Meta kishte të drejtë të mos bindej menjëherë. Ne e pamë videon në disa kënde. Nuk pamë një urdhër gjykate që t’i tregohej Ilir Metës. Kur të vijnë njerëz që nuk e kanë përpara mbishkrimin policia dhe të thonë që do të arrestojmë se ka një urdhër gjykate, ma trego! Ku e kanë? Nuk e kanë. Ky është problemi”, u shpreh Ferdinand Dervishi.

Ilir Meta u arrestua mesditën e së hënës me urdhër të SPAK për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.

/tvklan.al