Ka përfunduar me debate të forta mbledhja e përbashkët e Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ku po diskutohej për ndryshimet kushtetuese. Opozita u largua nga mbledhja pasi nuk ranë dakord me mazhorancën për të miratuar kalendarin e punimeve të këtij komisioni.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha në debat e sipër se mazhoranca po hedh në erë dialogun politik. Ai shtoi se opozita ka ofruar një qasje bashkëpunuese në procesin e ndryshimeve kushtetuese.
Gazment Bardhi: Në vijim të shqetësimit të drejtë të zotit Xhafaj, i cili tha se kemi të drejtë që të bëjmë disa propozime për seanca shtesë, po e marrim përsipër dhe në mbledhjen tjetër e plotësojmë kalendarin, por ecim me kalendarin që kemi propozuar ne. Nuk mund të na mohoni të drejtën për të zhvilluar seanca dëgjimore për atë kalendar që kemi propozuar. Keni zënë orën 14:30, po propozojmë orën 17:00. Nuk mund të na thoni ne që për iniciativën tonë do vini në orën dhe datën që duam ne, ndërsa tek iniciativa juaj do të vijmë në datën dhe orën që duam po ne. Nuk funksionojnë gjërat kështu. Nuk kishim asnjë shqetësim me kalendarin tuaj. Zonja kryetare kemi të drejtën tonë që të kërkojmë seanca dëgjimore për iniciativën tonë. Kemi propozuar datën dhe orën, kur ne dëshirojmë të zhvillojmë këto seanca. Jemi të hapur që ta plotësojmë kalendarin në seancën tjetër. Sot kemi në rend dite, këtë kalendar. Ju lutem na miratoni këto që kemi konkluduar.
Lindita Nikolla: Kemi një propozim të zotit Rushaj, për ndryshimin e orarit, dhe një propozim të zotit Gogut për ta miratuar kalendarin në mbledhjen tjetër.
Dhurata Tyli: Nuk mund të ketë votim për kalendarin që propozojmë ne. Ç’punë ka zoti Gogu me kalendarin tonë.
Gazment Bardhi: Ju votojeni kundër. Doni të ecni vetëm në këtë proces, ecni vetëm. Është e drejta juaj. Ne po propozojmë një qasje bashkëpunuese për të punuar së bashku për ndryshimet kushtetuese. Ju jeni kryetare e Kuvendit. Nuk është serioze që ne diskutojmë, ju keni koleget përballë nesh si konsulente dhe këshilltare tuajat. Këshilltare ke stafin e Kuvendit, merrja aty afër nëse ke nevojë për këshillë. Urdhëroni kryetaren e Kuvendit se çfarë duhet të hedhë në votim. Një mbledhje normale e trajtoni sikur çfarë po bëni.
Lindita Nikolla: Po e lini për mbledhjen tjetër edhe këtë pikë të rendit të ditës?
Gazment Bardhi: Ju keni vendosur të hidhni në erë dialogun politik në organet e Kuvendit. Ne vijmë me qasjen për të bashkëpunuar, ju thoni që seancat dëgjimore të opozitës do i vendosë Toni Gogu dhe Ermonela Felaj.
Lindita Nikolla: Jo!
Gazment Bardhi: Si mund të ndodhë kjo? Kjo nuk ndodh dot.Seancat dëgjimore do i bëjmë kur duam ne. Nëse na doni në tryezë duhet të bini dakord me ne. Në qoftë se keni votat për ta ndryshuar Kushtetutën vetë, vazhdojeni./tvklan.al