Nëse Kryeministri Albin Kurti nuk do të kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale, shqiptarët mund të kishin një kandidat të tyrin në balotazhin për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut.
Ky është qëndrimi i opozitës në Kosovë që akuzojnë Kryeministrin Albin Kurtin për përçarjen e shqiptarëve.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se Kurti me mbështetjen e kandidatit shqiptar, Arben Taravari, i cili doli i katërti në zgjedhje, ndikoi në mos arritjen e një rezultati historik në Maqedoninë e Veriut.
“Në këtë ndarje, Kryeministri populist i Kosovës dhe gjithë aparati qeveritar i tij, u bënë aktor aktiv. Nga zyra e Kryeministrisë, Kosova, institucionet e Republikës, në vend të përpjekjes për përbashkim, bënë atë që dijnë të bëjnë mirë – të përçajnë e ndajnë! Bënë fushatë, bënë propagandë, ndotën njërin kandidat, për të përfunduar megjithatë në fund me rezultat katastrofik”.
Për nënkryetaren e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, Kurti e mori mësimin e tij për këtë ndërhyrje, që e ka si model të tijin.
“Mësimi kryesor që duhet ta marrë Kryeministri i Kosovës nga zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, pas ndërhyrjeve të njëpasnjëshme në Shqipëri, Preshevë, e Mal të Zi, është mos të përzihet aty ku nuk e ka vendin. Mandatin e ka fituar për Kryeministër të Kosovës, jo për sundimtar të shqiptarëve. Kryeministër, ju jeni zgjedhur që ta qeverisni Kosovën, jo t’i përçani shqiptarët gjithandej”.
Sipas rezultateve paraprake për zgjedhjet presidenciale, kandidati i dytë i dalë në balotazh, Stevo Pendarovski mori 173 mijë vota, ndërsa kandidati shqiptar Bujar Osmani u rendit i treti me mbi 116 mijë. Kandidati i mbështetur Kurti, Arben Taravari mori mbi 80 mijë vota. Nëse shqiptarët do të dilnin me një kandidat të përbashkët, mbi bazën e këtyre shifrave në balotazhin e 8 Majit do të kishim një shqiptar për garën presidenciale.
Tv Klan