Opozita e ka vijuar aksionin e mos bindjes civile duke penguar në fillim zhvillimin normal të seancës plenare të kësaj të enjte në Parlament.
Socialistet nxituan dhe hynë në sallën e Parlamentit më herët se zakonisht. Në orën 10 ata ishin të gjithë në sallë përveç kryeministrit Rama, ndaj kryeparlamentja Spiropali nisi seancën.
Këmbëngulja e Spiropalit për të zhvilluar seancë normale u përball me planin e opozitës për ta bllokuar me çdo kusht seancën.
Më pas dy deputetët e përjashtuar Elda Hoti dhe Petrit Doda pavarësisht forcave të shumta të gardës dhe në korridoret e Parlamentit arritën që të pengojnë kolegët socialistë të merrnin fjalën, përfshirë dhe deputetin Agron Shehaj që kishte thirrur në interpelancë ministren e Mjedisit.
Elda Hoti madje hodhi në drejtim të socialistëve një solucion që sipas kryeparlamentares ishte i rrezikshëm. Spiropali hezitoi të thoshte emrin e atij që pengoi opozitarët të hynin në Parlament.
Ministri i Brendshëm Hoxha paralajmëroi kallëzim penal për aktet e dhunshme të opozitarëve që sipas tij rrezikuan jetën e deputetëve të mazhorances socialiste.
Opozita ja dolën që të bllokojnë kreun e KLSH, Arben Shehu që të lexonte raportin vjetor të punës se këtij institucioni.
Kryeparlamentarja ndërpreu per disa minuta seancën pasi në sallë u thirrën ekspertë për të marrë mostra nga lënda që u hodh nga Hoti mbi deputetët socialistë. Situata u qetësua pas pushimit e socialistët vijuan me çështjen në rendin e ditës, jashtë demokratët vazhduan të protestonin ndaj gardës qe pengonte hyrjen e tyre.
Akti më ekstrem ishte ai i deputetit Dashnor Sula qe vetdogji xhaketën e tij. Lëvizja opozitare vijoi më tej në përplasje me gardistët jashtë ambjenteve të Kuvendit ku u pretendua se deputeti Luan Bacci ishte kërcënuar me armë.
Në pamje duket se Drejtuesi i trupave të FNSH në debat e sipër me deputetin Luan Bacci, lëviz dorën drejt këllëfit ku mbahet arma e brezit. Nuk dukej qartë nëse brenda këllëfit kishte armë. Me legjislacionin aktual në fuqi forcave të policisë nuk u lejohet që të mbajnë armë brezi gjatë protestave. Në deklaraten zyrtare të Policise se Shtetit u konfirmua mos pasja e një arme brezi nga ana e efektivit në fjalë.
Klan News