Raportim Live
19:42, 8 Shkurt 2025

Videoja e plotë e protestës së sotme:

19:28, 8 Shkurt 2025

Tvklan.al ka qenë në këtë raportim live për afro dy orë, që kur nisën grumbullimet e para të protestuesve. Para se të shfletoni për të lexuar lajmet më të detajuara, mund të gjeni këtu shkurtimisht ‘pikat kyçe’ të kësaj proteste.

Ndryshe nga se u parashikua, protesta zgjati vetëm 1 orë e 30 minuta. Teksa vitin e shkuar kemi parë “bllokime rrugësh nacionale” apo “paralizim të lëvizjes në Tiranë”, protesta e 8 Shkurtit 2025 erdhi me një “frymë më paqësore”.

Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu dhe ai i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka folën si aleatë të kësaj force politike, duke u bërë thirrje shqiptarëve brenda e jashtë vendit të votojnë për rrëzimin e qeverisë.

Nuk mungoi mesazhi i Ish-Presidentit të vendit Ilir Meta, i cili edhe pse në burg, nuk heq dorë nga “beteja politike”. Ai e gjeti formën për t’u folur qytetarëve në bulevard, ndërsa ish-deputeti Ervin Salianji që po ashtu është në kushte izolimi, “erdhi” në këtë tubim përmes “kolegëve” të tij e vetë Berishës i cili e quajti “martir i gjallë i fjalës së lirë”.

Pas më shumë se 1 viti, në podium u ngjit kryedemokrati Sali Berisha që me fjalët e përzgjedhura të kujtonte protestat e dikurshme të PD-së. “U ngritëm nga hiri si feniksi”, është një shprehje që Berisha nuk ka si ta harrojë në ditë si këto. Theksoi se “historia e deshi që PD të rrëzojë dy diktatura”. Sipas tij, “dosja McGonigal është arkivoli i hapur i Ramës”. Teksa prezantoi programin e “taksave të ulëta”, paralajmëroi se Partia Demokratike e bashkuar do korrë fitoren më të thellë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Me fjalën e tij, përfundoi dhe protesta. Berisha do niset për Romë këtë të Shtunë, atje ku do zhvillojë takim me mbështetësit e tij.

I vetmi incident, i raportuar deri më tani, është se nga hedhja e mjeteve piroteknike në drejtim të institucioneve janë dëmtuar 3 efektivë policie.

18:46, 8 Shkurt 2025

I bindur për fitore të thellë më 11 Maj, Berisha mbyll protestën

Ka mbyllur fjalën e tij në këtë protestë, kreu i PD-së Sali Berisha. U shpreh i bindur se opozita do korrë fitoren më të thellë e të madhe ndonjëherë më 11 Maj! Pasi valëviti flamurin kuqezi në podium, zëdhënësja e kësaj partie Floriana Garo njoftoi se ai do të niset “direkt për në Romë, për takimin e tij me shqiptarët atje”.

18:45, 8 Shkurt 2025

“Trump i preu kokën gjarprit në Washington”

Në fjalën e tij këtë të Shtunë para protestuesve, Sali Berisha nuk la pa përmendur George Soros dhe Kreun e Shtëpisë së Bardhë Donald Trump. Sipas tij, Trump “i ka prerë kokën gjarprit në Washington”.

“Mos harroni se fitoret e arritura deri tani, ne i arritëm në kushtet më të jashtëzakonshme, më të vështira. Kurse tani që presidenti Donald Trump i ka prerë gjarprit në Washington, George Soros, e kuptoni ju apo jo çfarë do të thotë kjo. Era e desorosizimit, flladi i tij nga Washingtoni po fryn në gjithë botën. Ju garantoj ju se nuk fiton kush më shumë nga kjo se shqiptarët, pasi u shndërruan në kopshtin eksperimental të dogmës, jo të Oruellit, por të Sorosit. Pra, edhe ne kemi programin tonë të desorofikimit të vendit, të rivendosjes në piedestal të familjes, vlerave të saj, të besimit tek Zoti, të interesit kombëtar. Shqipërinë e bëjnë shqiptarët dhe shqiptarët patriotë, atdhetarë”, tha Berisha.

18:42, 8 Shkurt 2025

“Do ta paketojmë pas zgjedhjeve”, Berisha për Ramën: E ka tmerruar programi ynë!

“Do ta paketojmë pas zgjedhjeve”, kështu u shpreh sot para protestuesve kryedemokrati Sali Berisha për kundërshtarin e tij kryesor politik.  Për të, ky miting nuk është elektoral, por ama thekson se “Edi Ramën e ka trembur programi i Partisë Demokratike”.

“Programi ynë e ka tmerruar, e ka verbuar sepse ai program po nxjerr në dritën e diellit të gjitha mashtrimet e tij monstruoze”, tha Berisha. (Lexo më shumë!)

18:40, 8 Shkurt 2025

Lëndohen nga lëndët piroteknike 3 efektivë

Nga terreni, gazetarët e Klan News raportojnë se si pasojë e hedhjes së lëndëve piroteknike nga protestuesit drejt punonjësve të policisë, kanë mbetur të lënduar tre efektivë. Sipas tyre një punonjëse ka marrë dëmtime në sy, një në dorë, ndërsa një tjetër në fytyrë.

18:30, 8 Shkurt 2025

Berisha ngjitet në podium si ‘dikur’: Historia e deshi të rrëzojmë dy diktatura!

Pas një kohe relativisht të gjatë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u ngjit në podium përballë protestuesve që sot janë mbledhur para Kryeministrisë. Fjalën e tij e nisi me përulje dhe “falenderim vëllazëror” për të gjithë ata që i janë bashkuar opozitës.

“Nga hiri u ngritëm si feniksi”, tha Berisha, njëjtë si dikur…

Ai tha se asgjë nuk e mposht këtë forcë politike, duke theksuar se historia e deshi “të rrëzojë dy diktatura”.

(Lexo më shumë!)

18:20, 8 Shkurt 2025

Ilir Meta mesazh nga qelia për protestuesit: Në Shqipëri, shteti ka mafian e saj!

Ish-Presidenti i vendit Ilir Meta ka dhënë mesazhin e tij nga qelia e burgut sot në protestën kombëtare të opozitës. Duke përshëndetur demokratët dhe në veçanti Sali Berishën e Ervin Salianjin, ai theksoi në krye të herës se “në Shqipëri, shteti ka mafian e saj”.

“Përshëndetje misionarë të lirisë, demokracisë, dhe patriotizmit. Përshëndetjet më të përzemërta dhe të gjithë drejtuesit e opozitës, përshëndetje e veçantë për Ervin Salianjin dhe të gjithë të burgosurit politikë. Në Shqipëri, shteti ka mafian e saj!” (Lexo më shumë!)

17:58, 8 Shkurt 2025

Duka “rreshtohet” krah demokratëve: S’dua karrige, por në këtë vend të sundojë ligji

Pas kryetarit të PR-së, në krah të demokratëve është rreshtuar edhe udhëheqësi i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka. “Ligji për këtë qeveri nuk është pengesë”, theksoi ai në fjalën e tij si “aleat” i partisë më të madhe opozitare në vend.

“Unë nuk synoj më as karrige deputeti e as ministri, dua që në këtë vend të sundojë ligji dhe barazia para tij”, tha ai drejtuar qytetarëve.

17:56, 8 Shkurt 2025

16:55, 8 Shkurt 2025

Opozita protestë para Kryeministrisë, Berisha paralajmëron fitore të thellë më 11 Maj