Tym, flakë dhe bërryla në parlamentin e Serbisë. Deputetët e opozitës hodhën granata tymuese dhe gaz lotsjellës brenda sallës për të protestuar kundër qeverisë dhe në mbështetje të studentëve që demonstrojnë prej muajsh. Gjatë kaosit një deputete pësoi goditje në tru.
Gjatë seancës plenare, pasi koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Partia Progresive Serbe (SNS) miratoi rendin e ditës, disa politikanë të opozitës vrapuan nga vendet e tyre drejt kryetarit dhe u përleshën me rojet e sigurisë.
Të tjerët hodhën granata tymuese dhe gaz lotsjellës. Pamjet që u transmetuan drejtpërdrejt në televizion shfaqën tymin e zi dhe rozë brenda parlamentit.
Kryetarja Ana Brnabiç tha se dy ligjvënës u plagosën, prej tyre Jasmina Obradoviç e nga partia SNS, pësoi një goditje në tru dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën. “Parlamenti do të vazhdojë të punojë dhe të mbrojë Serbinë,” tha Bërbabiç para se t’i merrej fryma nga tymi.
Presidenti Aleksandar Vuçiç e quajti protestën brenda parlamentit akt të dhunshëm, huligan dhe kërkoi përgjegjësi penale.
“Ky është një rast bullizmi, sjellje huligane, nuk dua të them fjalë të ashpra për ata që e kanë kryer, jo se nuk e meritojnë, por kërkojmë përgjegjësi penale. Do të presim se çfarë do të bëjë prokuroria, sepse po të ishte e kundërta, të gjithë do të ishim varur deri më tani.”
Jashtë parlamentit u mblodh një grup protestuesish. Ata mbanin në duar pankarta ku shkruhej “Korrupsioni vret”.
“E gjithë bota duhet të shohë se ne kemi një problem, kjo që po ndodh në Serbi nuk është normale. Të gjithë të rinjtë janë në protestë. I takon brezit të ri të japë alarmin dhe u takon të moshuarve ta zgjidhin këtë situatë. Shpresoj të mos zgjasë shumë.”
Parlamenti do të miratonte ligjin për rritjen e fondeve për universitetet, një prej kërkesave kryesore të studentëve që bllokojnë fakultetet që nga dhjetori.
Klan News