Pas përplasjes në Zyrën Ovale dhe ndërprerjes së ndihmës ushtarake presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se tani është gati të negociojë përfundimin e luftës tre vjeçare me Rusinë “sa më shpejt të jetë e mundur”. Ai shtoi se do të “punojnë nën udhëheqjen e fortë” të presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump për të arritur një marrëveshje paqeje.
Bashkë me negociatat për paqen, është gati të nënshkruhet edhe marrëveshja mbi mineralet e rralla. Sipas agjencisë Reuters marrëveshja do të nënshkruhet së shpejti dhe do të lajmërohet nga vetë presidenti Trump.
Zelensky iu përgjigj me një postim të gjatë në ‘X’ lajmit të pezullimit të ndihmës ushtarake.
“Do të doja të ritheksoja angazhimin e Ukrainës për paqen”, shkroi Presidenti Zelensky. “Askush nga ne nuk dëshiron një luftë të pafund. Ukraina është e gatshme të vijë në tryezën e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur për të siguruar paqen e qëndrueshme.”
Më vonë me një videomesazh i shprehu mirënjohje Amerikës.
“Ukraina do t’iu jetë mirënjohëse përgjithmonë Shteteve të Bashkuara për të gjithë mbështetjen që ka dhënë dhe vazhdon të japë, mbështetje që ndihmon në ruajtjen e sigurisë tashmë të brishtë të Europës.”
Pranoi se diskutimet me presidentin Trump dhe nënpresidentin JD Vance “nuk shkuan ashtu siç duhej”.
“Ne kërkojmë bashkëpunim konstruktiv dhe partneritet të vërtetë. Ajo që ndodhi në Shtëpinë e Bardhë në vend të negociatave të planifikuara është për të ardhur keq. Por ne duhet të gjejmë forcën për të ecur përpara, për të respektuar njëri-tjetrin. Unë jam mirënjohës për të gjithë ata që mbështesin Ukrainën.”
Dhe më tej një paralajmërim se negociatat me Rusinë nuk do të jenë të lehta. Për ndërprerjen e ndihmës presidenti Zelensky tha se ka udhëzuar ministrin e mbrojtjes dhe zyrtarë të tjerë për të marrë informacion të saktë.
Për armëpushimin, Zelensky tha se faza e parë “mund të jetë lirimi i të burgosurve të luftës dhe ndalim i menjëhershëm i sulmeve ajrore, që përfshinë sulmet me raketa, dronë me rreze të gjatë, sulmet mbi rrjetin energjetik dhe infrastrukturën civile dhe ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga anijet, nëse edhe Rusia e bën të njëjtën gjë”.
Por arritja e një marrëveshjeje paqeje mund të jetë e vështirë. Ukraina ka kërkuar prej kohësh rikthimin në kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht të vitit 2014, përpara se Moska të pushtonte gadishullin e Krimesë.
Rusia tani kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, duke përfshirë pjesën më të madhe të Ukrainës lindore, dhe është zotuar të mos i kthejë asnjë pjesë të territorit qeverisë së Kievit.
Ndërkaq, Presidenti Zelensky ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët europianë duhet të ofrojnë siguri për Ukrainën në mënyrë që ajo të mbrohet nga një sulm tjetër rus. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve të martën se ndalimi i ndihmës ushtarake nga Uashingtoni për Ukrainën është kontributi më i mirë për paqen.
Klan News