Te Danimarka i njohin mirë dobësitë e tyre, por në grup mbizotëron besimi në prag të sfidës së tyre kundër Gjermanisë të vlefshme për raundin e të 16-ve të Euro 2024. Skandinavët barazuan në sfidën e fundit ndaj Serbisë, që u siguroi atyre kualifikimin.
Edhe pse ata e dominuan takimin, mungesa e finalizimit mund t’i kushtojë atyre në vazhdim. Ndihmës-trajneri Kristian Pulsen tha se grupi po punon për t’u përmirësuar.
“Mendoj se ne dështuam të shënonim më shumë gola, por luajtëm futboll të mirë. Por ne po punojmë fort për këtë. Dhe shpresojmë që të shtunën të përparojmë. Duhet të përpiqemi ta mundim Gjermaninë, duke luajtur futboll të mirë. Ata janë më të zotë me topin, kështu që duhet të mbrohemi. Por edhe duhet të sulmojmë e të triumfojmë duke luajtur futboll të bukur.”
Lojtarët kishin besim se me një shpirt të fortë grupi, ata do të mund të bëjnë një ndeshje të madhe ndaj ‘pancerave’.
Në vitin 1992, Danimarka mundi Gjermaninë në finalen e kampionatit europian 2-0 dhe fitoi turneun. Këtë rezultat skandinavët do të shpresojnë që ta përsërisin.
Klan News