Pas thuajse 3 vjetësh, Theresa May nuk është më kryetare e Partisë Konservatore. Kryeministrja ende në detyrë e Britanisë së Madhe dorëzoi zyrtarisht dorëheqjen nga drejtimi i partisë në pushtet. Një procedurë e paralajmëruar nga May në momentin e dhënies së dorëheqjes si Kryeministre dy javë më parë.

Shefja e qeverisë do të qëndrojë ende në detyrë deri në emërimin e pasuesit të saj, që do të përzgjidhet mes 11 pretendentëve më 22 Korrik.

Me shumë gjasa, kreu i ri i Konservatorëve dhe për rrjedhojë Kryeministri i ri i Britanisë së Madhe do të jetë rivali kryesor i May në çështjen Brexit, ish-ministri i Jashtëm Boris Johnson. Ai është përkrahës i linjës së ashpër ndaj Bashkimit Europian në negociatat për shkëputjen e Britanisë së Madhe nga unioni.

Dita e largimit ishte edhe dita e bilanceve për Theresa May. Të shumtë ishin analistët, të cilët e konsiderojnë atë si Kryeministren më të dështuar të të gjitha kohërave në Britaninë e Madhe. Sipas tyre, për 2 vite me radhë May ofroi me kokëfortësi vetëm platformën e saj për shkëputjen nga Bashkimi Europian.

Tv Klan