Aldo Majnishta u kap në Kosovë, do ekstradohet në Shqipëri
Pas më shumë se tre vitesh arrati, arrestohet një prej të shpallurve në kërkim për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës. Në rolin e organizatorit, Aldo Majnishta u prangos në Kosovë. 29-vjeçari nga Shkodra, iu prezantua autoriteteve kosovare me dokumentet një shtetasi tjetër, por pas verifikimeve rezultoi se bëhet fjalë për Majnishtën. Për të riun e ndaluar gjatë operacionit të koduar “Pengmarrja”, Gjykata e Posaçme ka caktuar arrest në burg për 4 vepra penale.
Jan Prenga u rrëmbye dhe zhduk në 17 janar të vitit 2020, ngjarje në të cilët bashkëpunuan disa persona. Deri më tani Gjykata e Posaçme ka dënuar me burg përjetë ish-kopshtarin e një resorti në Shijak Festim Bexhdili dhe me 3 vite heqje lirie Olsi Turjan. Sipas Gjykatës, Bexhdili ka pastruar vendin e krimit, ka siguruar mjetet dhe ka kërkuar për vendin ku do groposej trupi, si dhe ka gjetur rroba të pastra për autorët që bënë rrëmbimin në Kamzë.
Hetimet treguan se shkak përmbajtjen peng të Jan Prengës, u bë grabitja e një sasie kokaine në portin e Portsmuth në Angli, grabitje për të cilën Dritan Rexhepi dhe Gentian Funiqi, të konsideruar si porositës të krimit nga SPAK, fajësonin vëllain e Jan Prengës, Astrit Prengën. Edhe pse në mungesë të një kufome, Gjykata argumenton se për shkak të gjakut të gjetur dhe pamjeve filmike, Jan Prenga ka humbur jetën. Për rrëmbimin e tij, vijon gjykimi në mungesë edhe për 7 të tjerë, personazhe të njohur të krimit.
Ndaj Aldo Majnishtës, ka edhe një dënim nga Gjykata e Shkodrës. Në vitin 2016 ai është dënuar me 3 vite burg, nga të cilat i kanë mbetur për të shlyer edhe 2 vjet, 3 muaj dhe 15 ditë heqje lirie. 29-vjeçari u shpall fajtor pas një aksidenti, në të cili shkeli rregullat e qarkullimit rrugor, nuk iu bind urdhrit të policisë dhe u evidentua me armë pa leje.
Klan News