OSBE është shprehur kundër bojkotit të Kuvendit nga Partia Socialiste. Vetëm një orë e 30 minuta prej fillimit të seancës së parë plenare të kësaj legjislature, ambasadori Robert Bosch bëri të ditur këtë qëndrim që shkon hapur kundër linjës për një opozitë në rrugë. Për Bosch debatet politike bëhen në kuvend nisur dhe nga logjike që tejkalon qëndrimet personale të partive, që ka të bëjë me integrimin europian të vendit.
Robert Bosch: “Siç e dini në të gjitha vendet demokratike, forumi kryesor për debat midis partive politike është parlamenti i vendit përkatës. Dhe në kuadrin e axhendës integruese të Shqipërisë kjo vlen edhe më shumë këtu. Është një mesazh i qartë pra, paka a shumë këtë kisha për të thënë”.
OSBE është një nga institucionet e rëndësishme ndërkombëtare që PS ka thirrur për ta asistuar në procesin e verifikimit të parregullsive të identifikuara prej saj me zgjedhjet me zgjedhjet. Por deklarata e ambasadorit bosh, deklarate që në thelb rrezon vendimin më të rëndësishëm të PS-së bojkotin e kuvendit, duket se e vështirëson mundësitë e bashkëpunimit.
Ambasadori Bosch nuk është i vetëm përfaqësues i institucioneve ndërkombëtare që nuk mbështet vendimin politik të kryetarit të PS-së. Pak ditë më parë ishte Oli Rehn, komisioneri për zgjerimin në BE që zbehu të gjitha deklarimet e Edi Ramës për manipulim të procesit zgjedhor kur tha se zgjedhjet e 28 qershorit ishin më të mirat në historinë pluraliste të Shqipërisë.
Ky lum kundërshtish mes qëndrimit politik të PS-së me qëndrimin zyrtar ndërkombëtar ndoshta lidhet me deklarimin më të sinqerte që ka bërë Edi Rama gjatë këtyre viteve të drejtimit të PS.
Edi Rama: “Nuk jam politikan. Dua ta them këtë sot me zë të lartë drejt për drejt”./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi