Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar, gjatë tremujorit të tretë 2024, është 77.669 Lekë, duke u rritur me 8,6 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar që ishte 71 mijë Lekë.
Sipas raportit të INSTAT, gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë aktivitetet financiare, ato sigurimit, komunikacioni si dhe nëpunësit publikë.
Ndërkohë që sektorët më të keqpaguar, dhe me paga mesatare nën nivelin kombëtar janë punonjësit e shitjeve dhe të shërbimeve; punonjësit e bujqësisë dhe pyjeve; ata të montimit dhe përdorimit të makinerive si dhe punonjësit e ndërtimit.
Nga raporti i INSTAT vihet re se diferenca e pagave mes sektorit publik dhe privat është thelluar edhe më shumë.
Sektori shtetëror për periudhën Korrik-Shtator, e ka pagën mesatare mbi nivelin e kombëtar, duke arritur në 96 mijë Lekë, ndërkohë që sipas raportit të INSTAT paga mesatare në privat është 28.2 % më e ulët se paga mesatare në shtet, pasi është vetëm 69 mijë Lekë.
Politika e qeverisë për rritjen e pagës jo vetëm që nuk ka dhënë efekte pozitive dhe nuk bëri që sektori privat të rrisë pagën e punonjësve duke marrë shembull shtetin, por madje kanë pësuar ulje.
Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë, paga mesatare në privat u ul me 1.3 % në krahasim me pagën mesatare që kishte ky sektor në tremujorin e dytë, pasi nga 70 mijë u ul në 69 mijë Lekë.
Me sa duket as rritja ekonomike, as mungesa e punonjësve nuk po shtyn për lart pagat në sektorët privatë, që kanë edhe shumicën e të punësuarve në vend.
Klan News