Kjo është pamja e Naim Murselit i akuzuar për organizimin e vrasjes së gruas së tij Liridona Ademaj. Më masa të rrepta sigurie ai bashkë me të akuzuarit e tjerë janë sjellë në gjykatë për seancën fillestare. Por seanca është shtyrë për 31 Janar.
Kjo pasi avokati i të akuzuarit, Naim Murseli, ka deklaruar se nuk e ka pranuar akt-akuzën, shkresat e tjera të lëndës dhe CD-të me prova për këtë rast.
E avokati i Kushtrim Kokallës, ka thënë se për shkak të numrit të madh të shkresave të lëndës dhe kohës së pamjaftueshme për t’i lexuar ato, nuk ka mundur ta këshillojë klientin e tij se si të deklarohet.
Edhe avokati i të akuzuarit Tomë Dodaj, ka thënë se si mbrojtje nuk mund të deklarohen, rreth fajësisë. Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Murselit, Plavës, Kokallës dhe Dodajt.
Në akt-akuzën e Prokurorisë, thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin pajtuar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli. Vrasja ishte inskenuar si grabitje e armatosur.
Tv Klan