Tre aktivistë të Just Stop Oil kanë hedhur supë mbi dy piktura të Van Gog në Galerinë Kombëtare të Londrës, vetëm pak orë pasi disa anëtarë të grupit u dënuan për të njëjtin akt të kryer në vitin 2022.

Treshja hodhi supë domatesh drejt veprës “Luledielli” dhe një tjetre nga koleksioni që është huazuar nga Muzeu i Artit në Filadelfia.

Just Stop Oil tha se “aksioni” ishte “shenjë mohimi” ndaj dënimit të sotëm të dy protestuesve. Tre aktivistët u arrestuan ndërsa fatmirësisht, pikturat nuk janë dëmtuar.

23-vjeçarja Phoebe Plummer dhe 22-vjeçarja Anna Holland u dënuan sot për aktin e tyre të tetorit 2022 ku i hodhën supë domatesh një vepre të vitit 1888. Ato i shkaktuan një dëm prej 10.000 paundësh  kornizës ngjyrë floriri. Korniza ishte blerë në vitin 1999 dhe kishte një vlerë prej 28.000 dollarësh.

Pasi hodhën supën, vajzat u ulën në gjunjë dhe i ngjitën duart te muri poshtë kornizës. Stafi inspektoi pikturën dhe kornizën për dëme teksa dy vajzat ishin ende me duart pas murit, ndërsa ata trembeshin se supa mund të kishte rrjedhur poshtë xhamit mbrojtës.

Plummer u dënua për dy vite, ndërsa Holland për 20 muaj.

Just Stop Oil është një grup aktivistësh mjediorë që i kërkojnë qeverisë britanike t’i japë fund licencimit dhe prodhimit të lëndëve djegëse. Ata kanë bërë përpjekje për të tërhequr vëmendjen duke ndërmarrë aksione në aktivitete sportive, kanë ngritur bllokada në rrugë dhe kanë vandalizuar veprat artistike dhe  institucionet publike. Sipas tyre, 26 prej aktivistëve janë në burg./tvklan.al