Gazetari Blendi Salaj ka shpjeguar një rast se çfarë do të ndodhë, sipas tij, me gazetarët apo mediat që do të kritikojnë qeverinë bazuar në paketën anti-shpifje të qeverisë.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetari Salaj u shpreh se nëse ai do të kritikojë një ministër të qeverisë, atëherë ministri në fjalë e konsideron shpifje dhe i lind e drejta të ankohet tek Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA).

“Ky ligj nuk lejon që ti të flasësh lirisht. Problemi që unë shoh qëndron në këtë aspekt. Nëse unë do tregohesha kritik me një ministër, ministrit i lind  e drejta ta quajë shpifje. Do të thotë që ai do të shkojë të kërkojë që unë të shkruaj diçka të kundërt dhe përndryshe do shkojë tek AMA që po ata e kanë zgjedhur dhe do bëjë ankesën, dhe AMA do thotë 20 milionë Lekë gjobë Blendi Salajt. Dhe mund të më ndalojë llogaritë bankare, ta paguajë unë atë dhe tani thotë shko në gjykatë. Në demokraci janë ndarjet e pushteteve. Prandaj ka qeveri, prandaj ka gjykata. Këto gjëra mbivendosen. I bie që qeveria vendos për gjithçka”, u shpreh gazetari Blendi Salaj. /tvklan.al