Uragani Helene po shkakton ende dëme të jashtëzakonshme në Karolinën e Veriut. Pamjet janë apokaliptike, ndërsa ekipet e kërkim shpëtimit janë në garë me kohën për të gjetur njerëzit e zhdukur.
Numri i viktimave në gjashtë shtete ka shkuar në 133, disa ditë pasi ‘Helene’ arriti në Florida si një stuhi e kategorisë 4. Pothuajse 2 milionë konsumatorë vuajnë mungesën e energjisë elektrike.
Sipas autoriteteve rreth 56 njerëz kanë humbur jetën vetëm në Karolinën e Veriut dhe 600 rezultojnë ende të zhdukur.
Rreth 300 rrugë janë mbyllur dhe më shumë se 7,000 njerëz u regjistruan për ndihmën e Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave të SHBA-së. Garda Kombëtare ka dërguar mbi 1 mijë ton ndihma ushqimore për familjet e prekura.
Zyrtarët kanë paralajmëruar se rindërtimi do të kërkojë shumë kohë. Situata mbetet ende kritike edhe në disa zona në Xhorxhia dhe Tenesi.
Ndryshimet klimatike kanë intensifikuar stuhi të tilla teksa temperaturat në oqeane janë rritur duke i kthyer në ciklone të fuqishme që kanë aftësi shkatërruese.
Klan News