Ndryshe nga të famshmit që sfidojnë të ftohtin duke mos i fshehur gishtërinjtë e këmbës, njerëzit e zakonshëm preferojnë këpucët e ngrohta e të rehatshme. Por ngrohja e temperaturave tregon që më në fund mund t’i nxjerrim këpucët e lehta dhe të përshtatshme për stinën.
Gjithsesi, para se të zgjidhni vetëm të preferuarat, shihni mirë nëse keni ruajtur ndonjë palë nga sezonet e shkuara sepse disa modele janë rikthyer për të marrë gjithë protagonizmin.
Lëkura e gjarprit do ta gjejë rrugën në stilin e vajzave të guximshme si Rihanna. Antiteza e këtij modeli janë takat transparente që pëlqehen nga Jennifer Lopez e Kylie Jenner. Balerinat janë ende të preferuara, madje tani kanë edhe fjongo që hijeshojnë kyçet e këmbëve.
Më poshtë, gjeni këpucët më trend të pranverës.
Me tokëza
Kush e kishte menduar se këpucët Mary Jane të cilat janë klasike për studentet e kolegjit do të ktheheshin në të parapëlqyerat e vajzave të rritura? Falë pasarelave pranverë-verë 2025 të Miu Miu, Bally, Chanel dhe Prada, duket se ky trend s’ka ndërmend të ndalet. Sabrina Carpenter dhe Kendall Jenner kanë provuar tashmë besnikërinë ndaj tij dhe opsionet janë për të gjithë.

Transparente
Këpucët e tejdukshme janë integruar prej kohësh në industri. Quhen ndryshe edhe këpucët e Hirushes dhe marka si Bottega Veneta, Giambattista Valli dhe Chloé i kanë përfshirë në pasarelat e tyre. Për të qenë pak lozonjare, zgjidhini në një ngjyrë të ndezur.

Me lidhëse
Takat me lidhëse në pjesën e përparme janë një lloj ‘korseje’ për këmbën. Disa vajza preferojnë diçka shumë të thjeshtë, por nëse jeni e guximshme, mund të frymëzoheni nga Bella Hadid.

Balerina
Trendi “balletcore” nuk po shuhet dhe bashkëngjitur veshjeve në rozë të zbehtë, tutuve dhe copave delikate, këpucët duken si “pointe” që mund të vishnit në sallën e provave. Këpucë sateni me fjongo e shirita si modeli i Christian Louboutin janë interpretimi më i mirë i trendit.

Platformë
Platformat me prerje të lakuar dhe kënd siç janë prezantuar nga Dries Van Noten dhe Bottega Veneta janë përqafuar tashmë nga Heidi Klum dhe shumë shpejt do t’i shohim ngado.

Lëkurë gjarpri
Printi që ka dominuar pasarelat e Valentino, Jil Sander, 16Arlington dhe Louis Vuitton. Rihanna i veshi gjatë herëve që u paraqit në gjyqin e A$AP Rocky. S’ka rëndësi nëse preferoni këpucë me rrip pas, mokasine apo çizme, mjafton që mos të mungojë printi.

Nallane
Nallanet janë rikthyer në interpretime e silueta më moderne. Chloé i solli në formë me pak takë që janë pëlqyer nga yje si Daisy Edgar-Jones.

/tvklan.al