Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedimin “Sy m’Sy” u ndal edhe tek zhvillimi i Gjirokastrës dhe Beratit. Rama u shpreh se Gjirokastra sot po shkëlqen teksa shtoi se mesatarisht çdo dy javë në këtë qytet hapet një bujtinë e re dhe se mikpritja po zgjerohet.
“Ekonomia rregullohet duke kontribuar të gjithë. Unë nuk dua të më dëgjosh mua, unë dua që të shohësh ata që janë ulur në vendin e vet dhe punojnë dhe investojnë dhe të shohësh çfarë pagash marrin. Se kjo historia rregulloje ti që të vijmë ne është pak si shtrembët. Vetëm bonuset që kemi dhënë për shtëpitë e Gjirokastrës dhe Beratit, por nuk je i informuar, por duhet të shohësh fotografitë se si ishte Berati dhe si është sot, si ishte kalaja si është sot, si ishte Gjirokastra dhe si është sot. Gjirokastra sot po shkëlqen, investime pafund. Hapet mesatarsisht çdo dy javë një bujtinë e re një mikpritje që bëhet më e madhe më e gjerë. Ça po thua, ça po thua. Aman mo pse kshu? Po s’keni faj se ku do t’i merrni vesh këto ju në kënetën mediatike që ju flet vetëm për historia…”, shprehet Rama.
Ndër të tjera Rama u ndal edhe tek një koment që vinte në dukje largimin e shqiptarëve nga vendi, të cilit Kryeministri iu përgjigj duke i përmendur shifrat dhe faktin që tashmë Shqipëria është një vend i lirë dhe secili bën zgjedhjen e tij.
“Që nga viti 2012 deri në vitin 2024 në 12 vite sipas censusit në total janë 400 mijë që kanë lëvizur dhe as një milion as 2 milion dhe ata që kanë lëvizur janë në të drejtën e tyre sepse nuk jemi në bunkierin e shokut Enver, por jemi në një botë të lirë. Më vjen shumë keq për ty, por nëse të duket se kjo që Shqipëria po bën sot këtu është një karagjozllëk, aq më keq për ty sepse je një viktimë e kënetës”, theksoi Rama./tvklan.al