Papa Francesku është sensibilizuar me qytetarët e prekur nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë. Gjatë përshëndetjes nga sheshi Shën Pjetri në Vatikan, Papa ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave që humbën jetën nga tërmeti katastrofik.

“Dua të përshëndes dhe të shpreh afërsinë time me popullin e dashur shqiptar, i cili ka vuajtur shumë këto ditë. Shqipëria ka qenë vendi i parë në Evropë që kam dashur të vizitoj. Unë jam pranë të prekurve, lutem për viktimat, për të plagosurit dhe për familjet. Zoti e bekoftë këtë popull të cilin e dua shumë”, është shprehur Papa Francesku gjatë lutjes së mëngjesit.

Nga tërmeti me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter që goditi Shqipërinë një ditë më parë, kanë humbur jetën dhjetra persona dhe janë plagosur qindra. Durrësi dhe Thumana janë dy zonat më të prekura, ku u rrëzuan pallate dhe ndërtesa të tjera.

Forca të ekipeve të emergjencës nga vendet e Ballkanit, por dhe shtete të tjera, kanë ardhur në Shqipëri për të ndihmuar në misionet e kërkim-shpëtimit të personave të bllokuar nën rrënojat e gërmadhave. /tvklan.al