Irani sulmoi me dronë dhe raketa Izraelin pasi ishte betuar për hakmarrje në lidhje me një sulm vdekjeprurës në konsullatën e saj në Damask të Sirisë. Izraeli nuk ka thënë se ka qenë autore e këtij sulmi, por gjerësisht besohet se fshihet nga pas.
Në fakt, kjo është hera e parë që Irani sulmon Izraelin në mënyrë të drejtpërdrejtë. Prej vitesh dy shtetet janë përfshirë në një luftë të gjatë në hije, duke sulmuar asetet e njëra-tjetrës dhe pa marrë përsipër përgjegjësitë. Këto sulme janë rritur ndjeshëm gjatë luftës në Gaza.
Pse janë armiq Izraeli dhe Irani?
Dy vendet ishin aleatë deri në vitin 1979 ku ndodhi revolucioni islamik në Iran. Ky revolucion solli një regjim që ka përdorur kundërshtimin ndaj Izraelit si pjesë kyçe të ideologjisë së saj. Irani nuk e njeh të drejtën e Izraelit për të ekzistuar dhe kërkon shfarrosjen e tij. Lideri suprem i vendit, Ajatollah Ali Khamenei e ka quajtur më parë Izraelin si “kancer i cili do të çrrënjoset dhe shkatërrohet”.
Izraeli beson se Irani është një kërcënim ekzistencial e cila vërtetohet nga retorika e Teheranit, ngritja e forcave të betuara për shkatërrimin e Izraelit, financimi dhe armatosja e grupeve palrstineze, duke përfshirë Hamasin e grupin militant shiit libanez Hezbollah dhe beson se Irani po ndjek në mënyrë sekrete program për armë bërthamore, diçka që Teherani zyrtar e ka mohuar se po ndërton.
Sulmi hakmarrës, premtim i Iranit
Irani tha të shtunën se bombardimi ndaj Izraelit është përgjigje ndaj sulmit të 1 Prillit në konsullatën iraniane në Damask duke vrarë disa komandantë të rëndësishëm të saj. Irani fajëson Izraelin për këtë sulm dhe e sheh si shkelje të sovranitetit të saj. 13 persona u vranë në atë rast, duke përfshirë edhe Gjeneral Brigade Mohammad Reza Zahedi, komandant i rëndësishëm në forcat Quds, një degë e forcës elitë të Iranit, Gardës Revolucionare. Ai ka qenë një figurë kyçe në operacionet iraniane për të armatosur Hezbollahun.
Sulmi i konsullatës vjen pas disa sulmeve të ndryshme ajrore kundër objektivave iraniane që gjerësisht i janë atribuuar Izraelit. Disa komandantë kryesorë të Gardës Revolucionare janë vrarë në sulme ajrore në Siri muajt e fundit. Garda Revolucionare i dërgon Hezbollahut armë dhe pajisje, kryesisht raketa të precizionit të lartë përmes Sirisë.
Cilët janë aleatët e Iranit?
Irani ka ndërtuar një rrjet aleatësh në Lindjen e Mesme të cilat thotë se janë pjesë e “boshtit të rezistencës” duke sfiduar interesat e SHBA-së dhe Izraelit në rajon. Teherani i mbështet këto vende në nivele të ndryshme. Aleati më i rëndësishëm i saj është Siria. Irani, bashkë me Rusinë, ndihmuan qeverinë e Bashar al-Assad t’i mbijetonte luftës së gjatë civile.
Hezbollahu në Liban është një nga grupet më të fuqishme të armatosura që mbështet Irani. Që nga momenti që nisi lufta në Gaza, Hezbollahu ka shkëmbyer zjarr me Izraelin. Dhjetëra mijëra civilë në të dy anët e kufirit janë detyruar që të largohen nga shtëpitë e tyre.
Irani mbështet edhe disa milici shia në Irak që kanë sulmuar bazat e SHBA-së në Irak, Siri dhe Jordani. SHBA-ja është hakmarrë pasi tre prej ushtarëve të saj u vranë në një pikë ushtarake në Jordani.
Në Jemen, Irani mbështet lëvizjen Huthi, e cila kontrollon shumicat e zonave të populluara të vendit. Për të treguar mbështetje për Hamasin në Gaza, Huthit kanë lëshuar raketa dhe dronë drejt Izraelit dhe kanë sulmuar anije tregtare pranë brigjeve të saj, duke fundosur të paktën një anije. SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë goditur Huthit si kundërpërgjigje.
Irani ka siguruar armatime dhe trajnime ushtarake për grupet e armatosura palestineze, ndër ta edhe Hamasin, i cili sulmoi Izraelin më 7 Tetor. Sidoqoftë Irani mohon të ketë pasur rol në sulmin e 7 Tetorit.
Krahasimet e ushtrive, Iran vs Izrael
Irani është shumë më i madh se Izraeli gjeografikisht dhe ka një popullsi rreth 90 milionë banorësh, gati 10 herë më shumë se Izraeli. Por kjo nuk përkthehet në një fuqi të madhe ushtarake. Irani ka investuar shumë në raketa dhe dronë duke pasur një arsenal të madh në dispozicion. Megjithatë Teherani e ka përdorur një sasi të madhe të armatimeve të saj për të furnizuar aleatët e vet, si për shembull Huthit në Jemen dhe Hezbollahun në Liban.
Ajo që i mungon është një sistem modern i mbrojtjes ajrore dhe avionë luftarakë. Rusia besohet se po bashkëpunon me Iranin për t’i përmirësuar ato në këmbim të mbështetjes që Teherani i ka dhënë Moskës në luftën me Ukrainën. Irani ka siguruar disa dronë Shahen dhe Rusia raportohet se po kërkon t’i prodhojë vetë këto armë.
Përkundrazi, Izraeli ka një nga forcat më të avancuara ajrore në botë. Sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime strategjike, Izraeli ka të paktën 14 skuadrone avionësh duke përfshirë avionë F-15, F-16 dhe F-35. Izraeli ka eksperiencën për të kryer sulme thellë në territor armik.
A kanë Irani dhe Izraeli armë bërthamore?
Supozohet që Izraeli ka armë bërthamore, por mban një politikë zyrtare duke mos e qartësuar këtë çështje qëllimisht. Irani nuk ka armë bërthamore dhe ka mohuar akuzat se po tenton të përdorë programin e saj civil bërthamor për t’u bërë një shtet i armatosur bërthamor.
Vitin e kaluar, mbikëqyrësi global bërthamor gjeti grimca uraniumi të pasuruara deri në 83.7% pastërti, shumë afër shkallës së armëve, në vendndodhjen nëntokësore të Fordos në Iran. Teherani tha se mund të kenë ndodhur “luhatje të paqëllimshme” në nivelet e pasurimit.
Irani ka pasuruar hapur uraniumin në 60% për më shumë se dy vjet, duke shkelur një marrëveshje bërthamore me fuqitë botërore të vendosur në vitin 2015. Sidoqoftë kjo marrëveshje ka qenë pranë rënies kur Presidenti i SHBA-së Donald Trump u tërhoq në mënyrë të njëanshme dhe vendosi sanksione ndaj Iranit në vitin 2018. Izraeli e ka kundërshtuar që në fillim këtë marrëveshje.
Çfarë mesazhi po dërgon Irani nëpërmjet këtyre sulmeve?
“Ne i bllokuam, i interceptuam dhe së bashku do të fitojmë”. Kështu e vlerësoi sjelljen e Izraelit kryeministri Benjamin Netanyahu pas sulmit iranian. Megjithatë Tom Fletcher një këshilltar për politikën e huaj i disa kryeministrave britanikë dhe një ish-ambasador në Liban thotë se sulmi iranian është një “sinjal i ftohtë i kapaciteteve dhe shtrirjes së Iranit”.
“Udhëheqësit në Iran dhe Izrael janë nën presion në shtëpi duke u përballur me kritika ndërkombëtare dhe janë qartësisht gati që të luajnë me zjarrin”, paralajmëroi ai. Fletcher i tha BBC-së se sulmi i paprecedentë i Iranit duket se është kalibruar me kujdes.
“Irani i bëri publike sulmet përpara çka i bëri më të lehta për t’i frenuar”, tha ai duke e krahasuar me shkëmbimet e zjarrit që ai kishte parë kur ishte ambasador në Liban, ku “qëllimi është të tregojë aftësinë, por jo domosdoshmërisht konflikti të përshkallëzohet”.
Sipas këshilltarit është pozitive fakti që Irani zgjodhi të përgjigjej direkt sesa përmes Hezbollahut. Disa izraelitë kanë bërë thirrje që ushtria ta zgjerojë përballjen me grupin libanez për ta larguar atë nga kufiri.
Sanam Vakil, nga instituti Chatham House, tha se sulmet kanë qenë një sukses nga këndvështrimi i Iranit.
“Kjo është hera e parë që Irani ka thyer dhe dhunuar sovranitetin e Izraelit në mënyrë të drejtpërdrejtë. Sulmet kanë qenë sigurisht të kalibruara, drejt instalimeve ushtarake me qëllimin për të mos shkaktuar shumë dëme apo lënduar njeri”, tha ajo.
Shkrim nga BBC
Përshtati në shqip Gramoz Pisha, Tvklan.al