Shtegu i Pelikanit, rreth 3 kilometra i gjatë është përshkuar në këmbë përmes pyllit të Divjakës nga grupe të shumta vizitorësh vendas.
Përgjatë këtij shtegu në parkun Divjakë-Karavasta turistët shohin pelikanët, flamingot, e shumë specie të tjera. Ecja në këmbë u jep mundësinë atyre të njihen nga afër me këtë bukuri të natyrës e cila deri tani është habitati i qindra shpendëve dhe bimëve të egra.
Në ditën ndërkombëtare të shpendëve shtegtarë, administratës së zonave të mbrojtura iu bashkuan dashamirës të natyrës të cilët për herë të parë shkelin Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.
“Mu duk shumë bukur, jam e pasionuar pas zogjve. Është hera e parë që vij këtu dhe jam mrekulluar pas zogjve dhe ‘Shtegut të pelikanit’.”
“Me pëlqen shumë natyra, pashë pelikanin kaçurrel dhe shumë shpendë të tjerë.”
“Është një vend shumë i bukur, një mrekulli shumë e bukur natyrore dhe është shumë bukur. Është hera e parë që vij këtu, pamë pelikanin kaçurrel.”
Mësimi për edukimin mjedisor duhet të jetë pjesë e kurrikulave mësimore shprehen specialistët. Mbrojtësit e natyrës venë theksin se brezat e rinj duhet të japin shembullin sesi ruhet e mbrohet pasuria e natyrës shqiptare.
Fatjon Prençi, drejtor i ADZM: Besoj se ishte lehtësisht i përshkueshëm për të gjitha moshat, pasi në këtë shteg kishte fëmijë nga 3 vjeç deri tek nxënësit e shkollave të gjimnazit.
Erald Xeka, biolog: U kemi mundësuar studentëve, pra nxënësve të shkollave të Tiranës për t’u njohur me këtë park, me të gjitha gjallesat që jetojnë në të.
Gentjan Hykaj, biolog: Të gjithë mësuesit, të cilët japin mësim në shkolla të mesme dhe 9-vjeçare ta sjellin edukimin mjedisor në një mjedis që ofron në të vërtet thelbin e edukimit mjedisor, që ka të bëjë me natyrën, mjedisin gjallesat dhe bashkë shoqërimet e tyre.
Rreth 1.250 hektarë është sipërfaqja e zonës së mbrojtur në pyllin e Divjakës e cila këtë vit vetëm në muajin Shtator është vizituar nga 38 mijë vizitorë vendas dhe 10 mijë turistë të huaj.
Klan News