Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të NATOS-s i kryesuar nga Sergio De Gregorio, presidenti i nënkomisionit për marrëdhëniet transatlantike, gjatë një takimi të zhvilluar me kryeministrin Berisha ka deklaruar se politika nuk mund të ndërhyjë në vendimet e gjyqësorit. Duke iu referuar bojkotit të institucioneve demokratike nga ana e opozitës, anëtarët e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s theksuan, se askush në komunitetin Euroatlantik nuk ka as më të voglin dyshim për legjitimitetin e këtij parlamenti dhe të qeverisë shqiptare.
Gjithashtu parlamentarët e NATO-s theksuan se debati demokratik zhvillohet në parlament dhe se bojkoti i institucioneve demokratike është një qëndrim i pakuptimtë. Gjatë takimit me kryeministrin Berisha, zyrtarët e lartë vlerësuan arritjet historike të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe arritjet sipas tyre që qeveria shqiptare ka bërë në përmbushjen e standarteve të Bashkimit Europian.
Paradite delegacioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s është takuar dhe me Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe Ministrin e Jashtëm Ilir Meta. Sipas zyrës së shtypit pranë Kuvendit bëhet me dije se në takimin më zonjën Topalli, zyrtarët e lartë duke vlerësuar në mënyrë të veçantë rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur vendi ynë si anëtar i NATO-s deklaruan se ishin vetë dëshmitarë të procesit të zgjedhjeve për të cilin thanë se u realizua më së miri.
Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s ka theksuar gjithashtu se nga këto zgjedhje dolën institucionet legjitime, qeveria dhe parlamenti dhe se institucioni që ata përfaqësojnë është i habitur nga disa kundërshtime që vijnë nga opozita . Po kështu delegacioni i NATO-s u prit në një takim nga Zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta.
Gjatë takimeve me zyrtarët e lartë ata theksuan gjithashtu se Shqipëria duhet të jetë optimiste, se jo vetëm liberalizimi i vizave do të bëhet së shpejti, por edhe anëtarësimi në Bashkimin Europian do të jetë i afërt./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro