Mbrëmja e kësaj të enjteje në “Opinion” nuk kaloi pa përplasje mes palëve. Replika me të ashpra dhe të përsëritura pati mes Luan Ramës dhe Baton Haxhiut, teksa ky i fundit ishte në një lidhje në Skype në studio. Rama e akuzoi Batonin se krijon kakofoni pasi “mendon serbisht dhe flet shqip“, ndërsa Haxhiu i kërkoi që të kishte dinjitet në debat.
Luan Rama: Batoni ka një problem, mendon serbisht dhe flet shqip dhe kjo është kakofonia që bëhet.
Blendi Fevziu: O Luan po lëre tani se nuk ka lidhje, kjo nuk ka lidhje fare.
Luan Rama: Hë pra se na bën leksione gjuhe tani dhe thotë flas me gjuhën time. E di Batoni shumë mirë shqipen time.
Baton Haxhiu: Qëparë thamë që në debat duhet të kesh pak dinjitet…
Luan Rama: Po s’e vendos ti dinjitetin tim. Në debat Baton duhet të ketë etikë, duhet të ketë dhe edukatë.
Baton Haxhiu: Po të flasësh dhe me batuta atëherë nuk është mirë për ty.
Luan Rama: Sa për dinjitet, nuk jemi këtu për të peshuar as unë dinjitetin tënd dhe as ti timin.
Blendi Fevziu: Luan, ta mbarojë argumentin Batoni. Se dhe ti i ndërhyre kur ishte duke folur.
Luan Rama: Unë po i bëj një ‘scusa’ dhe po e ftoj të flasim për çështjen që jemi mbledhur. As për dinjitetin e tij dhe as për timin.
Blendi Fevziu: Ti i the s’po kuptohesh.
Luan Rama: Po i bëj një ‘scusa’ pra po them. Por jo të flasë ai për dinjitetin tim se nuk e lejoj unë, as atë dhe askënd.
Blendi Fevziu: Ti i fole për gjuhën…
Luan Rama: Ai më tha mua ta tregoj unë ty gjuhën shqipe.
Blendi Fevziu: I fole ti në fillim. I the ke nevojë për përkthyes. Prandaj kur i ndërhyn, më mirë lëre të flasë.
Baton Haxhiu: A mund të më tregosh se çfarë është ‘scusa’ se unë nuk e kuptoj. A është shqip?
Luan Rama: Mirë Baton, do të të them ndjesë? Të kënaq fjala “ndjesë”?
Blendi Fevziu: ‘Scusa’ është fjalë italisht, falje. Luan lëre të mbarojë se ti je në studio, ai është në Skype, nuk është avantazh ky tani.
Luan Rama: Nuk po e përdor. Fjala “ndjesë” të kënaq?
Blendi Fevziu: Kërkoi ndjesë për këtë gjë.
Baton Haxhiu: Po./tvklan.al