Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit ka nisur punimet gjatë pasdites pas ndërprerjes së një dite më parë, për shkak të mungesës së kryeministrit Fatos Nano, i cili kësaj radhe ishte i pranishëm në sallën e Kuvendit. Ashtu sikundër ishte deklaruar, deputetët e opozitës kanë shndërruar mocionin e mosbesimit ndaj kryeministrit në një gjyq moral për të, duke analizuar mungesën e tij gjatë tragjedisë së Karaburunit.

Bardhyl Londo:- “Mirësevjen Fatos djali, se me ty na mori djalli. Mirësevjen Tos skafisti, se me ty na doli shpirti. Mirësevjen Tos kongresmeni, seme ty në det do vemi. Mirësevjen o zog i lirë, ti pi xhin ne pimë birrë. Mirësevjen o prijës i rrallë, ti pi verë, ne s’kemi dhallë. Mirësevjen Tos historia, prapa të vjen lemeria. Zotërinj kjo nuk është diçka që del nga Gjirokastra, po diçka që del nga shpirti i gjithë shqiptarëve dhe unë jam i bindur se del edhe nga një pjesë e mirë e juaja por nuk keni guxim ta thoni”.

Preç Zogaj:- “Momenti përcaktues i tragjedisë është ndërprerja e operacionit të kërkim-shpëtimit, gjatë gjithë natës së 9 Janarit duke u gdhirë 10 Janari, moment që pasohet pastaj, ngalos ndërprerja e pushimeve të kryeministrit dhe mosrespektimi i zisë kombëtare. Ministri Igli Toska është i kapur në krimin e fshehjes së tragjedisë, në momentin kur po ndodh dhe e vetmja gjë, që i mbetet të bëjë këtij ministri është të tregojë pse-në. Paraardhësi i tij zoti Luan Rama, ka dhënë dorëheqjen për një incident, pothuajse banal me gazetarin Ilir Babaramo, kurse Toska që është përfshirë dhe ka përgjegjësi të rëndë për vdekjen e 21 shtetasve dhe humbjen e rreth 7 të tjerëve, nuk e ka dhënë ende dorëheqjen”.

Ministrat socialistë duke mohuar përgjegjësitë e tyre për tragjedinë e 9 Janarit, akuzuan opozitën se po shfrytëzon politikisht ngjarjen e Vlorës, ku humbën jetën 21 persona.

Ndërsa Kuvendi niste punimet e sesionit të jashtëzakonshëm, shumë qytetarë protestonin sërish jashtë hekurave të Parlamentit, duke kërkuar largimin e kryeministrit Fatos Nano./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj