Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Partia Demokratike është ulur me përfaqësues të shoqërisë civile, duke kërkuar nga ata alternativa të reja, për të ndryshuar situatën politike në vend. Idetë e hedhura në tryezë nga intelektualët, takoheshin në një pikë, se zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të zhvillohen të lira e transparente, por për këtë duhet vullnet politik.

Kristaq Kume, drejtori i Institutit Shqiptar për Problemet Zgjedhore, përmendi si domosdoshmëri balancimin e KQZ, e ndërsa për listat, kodi aktual i harton mjaft  mirë ato, por impenjimi në mënyrë aktive i partive politike, sjell rezultatin që pamë në zgjedhjet e Tetorit.

Kristaq Kume: “Në qoftë se, jeni të mendimit se, duhet amenduar neni 154 i Kushtetutës, pra duhet të fillohet një proces mendimi i Kushtetutës, fillojeni, se nuk keni kohë. Unë do thosha, që shumë shpejt juve duhet të ndërmerrni iniciativa dhe veprime konkrete për të realizuar rekomandimet e ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias, rekomandime që kanë të bëjnë me balancimin politik të KQZ, formula është fare e thjeshtë, vullneti është i vështirë për t’u gjetur”.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në përgjigje të mendimit të përfaqësuesve të shoqërisë civile, u shpreh se vullneti politik ëhstë i pamundur, pasi Fatos Nano nuk i shkon deri në fund, e provuar kjo edhe në marrëveshjen e dy viteve më parë Nano-Berisha.

Sali Berisha: “Mund t’u premtojë ju, se do të heq dorë nga protesta, por përkundrazi, unë ju them ju, se çështja e zgjedhjeve kësaj radhe është një çështje jetë ose vdekje, për paqen dhe stabilitetin e Shqipërisë dhe unë duhet të jem shumë i sinqertë me ju. Unë jam i gatshëm të zbatojë totalisht këshillat e ODIHR-it, unë jam i gatshëm zoti Kume të ndërmarrim iniciativë për ndryshimin e Kushtetutës, se në mënyrë absolute është e drejta jonë, por këtë nuk e pranon Fatos Nano, sepse nuk ka vullnet për të pranuar zgjedhje të lira. Me gjithë mirëkuptimin që kam për sugjerimin tuaj, por do ta konceptoja jo me marrëveshje, do ta konceptoja ashtu siç sugjeroi njëri prej jush, që tha, unë nuk kuptojë bashkëpunimin si marrëveshje Nano-Berisha dhe tani po të më pyesni, ajo s’do të ishte e dobishme por e dëmshme”.

Nga të pranishmit u gjykua, se situata në të cilën gjendet tashmë opozita është e favorshme, kur ajo të marrë pushtetin, pasi sheh gabimet e qeverisjes aktuale. Në këtë takim mungonin krerët e ZMQ deh lëvizja Mjaft./tvklan.al