Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Hallet dhe problemet e Shqipërisë gjithnjë të ndryshme shqetësojnë çdo të shtunë Partinë Republikane. Shqipëria konsiderohet nga Perëndimi dhe SHBA si një nga pikat më të nxehta të rajonit, ku është mjaft e vështirë zbatimi i paktit të stabilitetit dhe të gjitha këto sipas republikanëve duken qartë që nga mosardhja e ambasadorit Hollbruk në Shqipëri, i cili pak ditë më parë kishtë deklaruar vetë në Sarajevë se krimi ka depërtuar në strukturat kryesore të rendit në Bosnje, Kosovë dhe Shqipëri, duke thelluar kështu krizën e besimit.

Shteti shkel të drejtat e pronës së ligjshme dhe të drejtat e njeriut. Ndërsa një pikë tjetër që shqetëson republikanët ishte valuta, e cila del jashtë vendit sepse nuk ekziston një politikë kombëtare monetare. Favorizohen të huajt në kurriz të interesave kombëtare.

Sipas republikanëve koalicioni qeveritar nuk ka për qëllim të vendos ligjin dhe rendin por të përjetësoj qënien në pushtet. Madje republikanët në paaftësinë e qeverisjes përmendin se kërcënimet e kryeministrit Majko për përdorimin e forcës së policisë ndaj pronarëve që pengojnë punimet në objekte publike nuk duhet të ekzistojnë thjesht si porosi por si ligj./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti